Ndërlidhjet

Efekte negative nga përshkallëzimet në Kuvend


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Përplasjet në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet partive në pushtet dhe partive opozitare, të cilat janë përshkallëzuar edhe në seancën e ditës së martë, po e thellojnë hendekun ndërmjet dy palëve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Sipas tyre, përplasjet e tilla dhe ky thellim i hendekut do të prodhojë mjaft efekte negative.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se përballjet në Kuvendin e Kosovës ndërmjet partive të koalicionit qeveritar dhe partive opozitare, si dhe të këtyre të fundit me pjesëtarët e sigurimit dhe të policisë, kanë dhënë pamje mjaft të keqe, e cila ka mundur të shmanget.

Krasniqi thotë se situata, nga seanca në seancë, është duke u përshkallëzuar dhe çdo herë po ka elemente të reja të cilat po futen në përdorim të dhunës.

“Partitë në pushtet, gjithmonë po janë me një skenarë tjetër, më të avancuar dhe me përdorim më të shtuar të forcave të policisë. Në anën tjetër, po kemi si kundërpërgjigje prej partive opozitare, përdorim të mjeteve të palejueshme në Kuvend. Efektet e këtyre mund të përshkallëzojnë, por duket se nuk do të kalojnë jashtë përmasave të ndërtesës së Kuvendit".

"Kjo, për shkak të mos përgjigjes së qytetarëve për tu përfshirë në këto konflikte dhe po konsiderojmë se është një veprim i matur i qytetarëve”.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se efekti më i madh negativ i përplasjeve në Kuvendin e Kosovës, do të jetë humbja e besimit tek qytetarët se Kosova ka një klasë politike normale, e cila di të ballafaqohet me problemet politike në mënyrën e duhur.

“Për fat të keq, as pushteti, por as opozita nuk po dëshmohen si palë politike, të cilat janë në gjendje që me realizëm të ballafaqohen me krizën politike dhe të tentojnë që të gjejnë ndonjë zgjidhje. Por, të dyja palët janë barrikaduar edhe më fuqishëm, sot, në pozicionet e tyre dhe janë duke e thelluar krizën, e cila shkon në dëm të shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të Kosovës”.

Analisti Krasniqi, thotë se pasojat nga përplasjet në Kuvendin e Kosovës do të jenë të mëdha, sidomos në aspektin legjislativ, sepse vetëm 23 për qind e ligjeve të parapara me programin e punës së Kuvendit, janë miratuar.

“Madje, katër prej tyre janë të domosdoshme për liberalizim të vizave dhe shumë procese tjera, në të cilat ne kemi mbetur prapa. Po konsiderojmë se e gjithë kjo është pa arsye, sepse ka mjete tjera, të cilat duhet të konsumohen, për t’i dhënë përgjigje meritore këtyre dy marrëveshjeve ( për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi)".

"Kështu që, të dyja palët, nuk kanë bërë lëvizje nga pozicionet e tyre fillestare. Duhet të heqin dorë nga inatet që janë duke i mbajtur deri më tani dhe këto të mos shkojnë në dëm të qytetarëve”.

Analisti Muhaxhiri ka theksuar se duke pasur parasysh që Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë politikë dhe vendim-marrës në vend dhe bllokimi i tij do të rezultojë edhe me bllokada në jetën e përditshme të qytetarëve, në projektet e ndryshme që kanë të bëjnë me jetën e qytetarëve.

“Do të kemi një efekt ‘domino’ pasi që nga Kuvendi burojnë ligjet, te cilat pastaj realizohen në praktikën e jetës së përditshme. Në fakt, kjo edhe një herë e tregon mungesën e moralit politik dhe të ndërgjegjes politike të spektrit politik kosovar, pa asnjë dallim, pushtet dhe opozitë, sepse ata nuk e kanë interesin e qytetarëve si objektiv parësor, por e kanë vetëm agjendën e tyre politike, qoftë të bllokimit të seancave nga ana e opozitës, qoftë injorimit të kërkesave të opozitës nga ana e koalicionit qeveritar”.

Njohësit e zhvillimeve politike dhe parlamentare kanë vlerësuar se thirrja e seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, për miratimin në parim të projekt-buxhetit, nuk është dashur të jetë e ngutshme, por ajo të bëhet në momente më të përshtatshme, kur do të mund të sigurohej një dialog dhe debat i mirëfilltë parlamentar.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG