Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit nesër debaton për Kosovën


Ban Ki-moon

Ban Ki-moon

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e ka dënuar dhunën nga ana e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës.

Në raportin e tij 17 faqesh, i cili do të paraqitet në seancën e nesërme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, Ban Ki-moon, ka theksuar se e “dënon përdorimin e dhunës dhe frikësimit nga partitë opozitare për t’i penguar procedurat normale të Kuvendit të Kosovës”.

Mëtutje, në raport theksohet se “janë të papranueshme sulmet fizike nga aktivistët opozitarë të drejtuara kundër kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë së tij”.

Zoti Ban u ka bërë thirrje “të gjithë aktorëve politikë për përmbajtje nga retorika dhe aksionet, që nuk janë kompatibile me parimet dhe normat e shoqërisë demokratike dhe të civilizuar” dhe ka shtuar se “këto akte e dëmtojnë besimin e publikut në këto institucione dhe, po ashtu, e dëmtojnë imazhin e Kosovës më gjërësisht në botë”.

Në këtë raport, të publikuar në faqen në Internet të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshiet periudha tremujore prej 16 korrikut e deri më 15 tetor të këtij viti.

XS
SM
MD
LG