Ndërlidhjet

Protesta me përdorim të dhunës nga ana e deputetëve opozitarë në Kuvendin e Kosovës në njërën anë, por edhe arrestimi dhe përpjekja për të arrestuar disa prej tyre, nga ana e Policisë së Kosovës, do të përbëjnë lajm të keq për nivelin e demokracisë në Kosovë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Sipas tyre, të gjithë liderët politik, të partive në pushtet dhe të partive opozitare, duhet ta kenë të qartë se veprimet e tyre do t’i sjellin konsekuenca fatale nivelit të demokracisë dhe imazhit të Kosovës, si një shtet në ndërtim e sipër.

Megjithatë, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me qasjen ndaj kësaj situate.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, vlerëson se përplasja e partive politike në pushtet me partitë opozitare, paraqet përplasje të dy të drejtave, të cilat sipas tij po keqpërdoren.

“Këtu janë përplasur dy të drejta, e drejta e opozitës për të protestuar me të drejtën e shtetit që të mbrohet, përkatësisht pushtetit. Pushteti, për mbrojtjen e institucioneve vitale të shtetit i përdorë mekanizmat mbrojtës, siç janë policia, prokuroria, mekanizmat e ndjekjes etj".

"Objektivisht, dhuna e opozitës i ka tejkaluar tashmë caqet e të protestuari në një demokraci dhe në këtë moment, shteti, ose duhet ta mbrojë veten, përkatësisht ose duhet të reagojë prokuroria e shtetit ose praktikisht, nuk ekziston më shteti”.

Por, analisti Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që pushteti ka bërë ftesë të hapur që sistemi i drejtësisë në vend të jetë grupi i institucioneve që do ta menaxhojë krizën politike.

Por, sipas tij, një veprim i tillë do të ketë konsekuenca në perceptimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe besueshmërinë në të.

Sipas tij, partitë politike po e shkaktojnë dhunën ndërmjet tyre, dhe në këtë rast, sistemi prokuroria duhet të jetë i vëmendshëm se si i qaset arrestimit dhe trajtimit të deputetëve të partive opozitare, sepse kundërshtimi i këtyre të fundit, qoftë me mjete paqësore, qoftë të dhunshme, janë elementë të një lufte politike.

“Unë besoj që ekziston një tendencë shumë e qartë e partive kryesore politike, gjegjësisht LDK-së dhe PDK-së, që barrën e përgjegjësisë së vet politike për krizën politike, ta zgjidhin nëpërmjet sistemit prokuroria dhe gjyqësor. Kjo do të nënkuptonte, rrjedhimisht, që gjyqësia dhe prokuroria rrezikojnë që të bëhen palë në një konflikt, bazat e të cilit janë politike".

"Shpresoj që drejtuesit e prokurorisë dhe të gjykatave në Kosovë të jenë të vetëdijshëm për natyrën e rasti që kanë përpara dhe të sillen me mendje-maturi shumë më të madhe se sa në rastet tjera”.

Por, a do ta zgjidhë gjithë këtë situatë politike në vend arrestimi i disa deputetëve opozitarë?

Analisti Matoshi, nuk e sheh si zgjidhjen veprimin e tillë.

“Nuk do të jetë zgjidhja e situatës politike arrestimi, përkatësisht, ndëshkimi eventual i ndonjërit prej deputetëve të opozitës. Zgjidhja, megjithatë, mendoj se duhet të kërkohet brenda politikës. Mirëpo, organet e ndjekjes, prokuroria dhe gjyqësori, duhet ta kryejnë punën e vet. Përndryshe, për çka ekzistojnë ato?”, u shpreh Matoshi.

Analisti Doli, vlerëson se parimi themelor i tejkalimit të kësaj situate, ka të bëj me vullnetin e të dyja palëve, pushtetit dhe opozitës.

“Në rastin konkret ka të bëj me vullnetin që zoti Mustafa duhet të tregoj që të ndërtoj praktika të komunikimit me partitë opozitare dhe mospërdorimit të vartësve të tij për të zgjidhur konfliktet, të cilat kanë natyrë politike".

"Ky moment duhet të shërbejë edhe si moment reflektimi nga ana e anëtarëve të partive opozitare mbi mjetet dhe mënyrën se si këta të fundit duhet t’i qasen opozitarizmit, duke përfunduar çdo aksion, i cili në vete përmban dhunë apo përdorim të dhunës”, thotë Doli.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike, kanë pikëpamje të njëjtë lidhur me qasjen që qytetarët kanë ndaj kësaj situate politike.

Ata thonë se në gjithë zymtësinë që e ka kapluar skenën politike, qasja e qytetarëve është për tu lavdëruar, sepse kanë qëndruar neutral dhe kanë treguar mosmbështetje totale qoftë ndaj veprimeve të pushtetit, qoftë ndaj veprimeve të partive opozitare.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG