Ndërlidhjet

logo-print

Bosnje: Dy ushtarë vriten, sulmuesi vetëvritet


Vendi ku ka ndodhur sulmi...

Vendi ku ka ndodhur sulmi...

Një person i armatosur ka vrarë mbrëmjen e kaluar dy ushtarë dhe ka plagosur pesë persona të tjerë në periferi të Sarajevës.

I armatosuri ka vrarë veten, pasi policia e Bosnjës ka rrethuar shtëpinë në të cilën është fshehur.

Sulmi ka ndodhur në një dyqan të basteve në rajonin Rajlovac.

Sulmuesi ka shtënë edhe në drejtim të një autobusi publik derisa ka bërë përpjekje të largohej.

Sulmuesi është identifikuar si Enes Omeragiq.

Mediat në Sarajavë kanë raportuar se ai ka qenë mbështetës i lëvizjes Salafi, një ideologji ultrakonservatore e Islamit, e cila shpesh promovon xhihad të dhunshëm.

Qeveria e Bosnjës ka thirrur një seancë urgjente pas incidentit, por zyrtarët kanë hezituar ta cilësojnë atë si akt terrorist, duke thënë se hetimet janë duke vazhduar.

“Nëse vërtetohet se është terrorizëm dhe ka mundësi që kjo të ndodhë, atëherë kemi një situatë të pasigurisë së përgjithshme të qytetarëve dhe duhet të veprojmë shpejt dhe me efikasitet”, ka thënë ministri për Siguri i Bosnjës, Dragan Mektiq.

Bosnja, një nga vendet më të varfra në Evropë, vazhdon të vuajë ndarjet e thella etnike dhe fetare që nga lufta e viteve 1990.

Gati gjysma e 3.8 milionë banorëve të Bosnjës janë myslimanë.

Këtë vit, edhe një tjetër person i armatosur ka hapur zjarr në një postbllok të policisë në qytetin Zvornik të Bosnjës, duke vrarë një oficer dhe plagosur dy të tjerë, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.

Atëbotë, autoritetet kanë thënë se sulmuesi Nerdin Ibriq ka thirrur “Allahu Akbar” ose “Zoti është i madh” kur ka hyrë në postbllok dhe se ka pasur lidhje me ekstremistët islamikë.

XS
SM
MD
LG