Ndërlidhjet

Bilanci i protestave - 22 të arrestuar 13 persona të lënduar


Pamje nga protesta e djeshme.

Pamje nga protesta e djeshme.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë protestës së djeshme ka shoqëruar në polici 22 protestues, për të cilët janë duke vazhduar procedurat e mëtejshme ligjore.

Derisa, Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ka konfirmuar se si pasojë e përleshjeve mes protestuese dhe policisë, në Klinikën Emergjente ndihmë mjekësore kanë kërkuar 13 persona.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se për 22 personat e shoqëruar në polici po vazhdojnë procedurat ligjore.

“Referuar situatës së djeshme të krijuar pas protestës së dhunshme Polica e Kosovës bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë e saj ka ndërmarrë veprimet e saj për të vënë situatën nën kontroll, për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike dhe si pasojë e shkaktimit të dhunës nga ana e protestuesve janë shoqëruar për në stacion policor 22 persona apo protestues, të cilët kanë qenë të dhunshëm dhe të njëjtit janë shoqëruar në Policinë e Kosovës", ka treguar Kelani.

Ai ka shtuar, se si pasojë e dhunës së shprehur gjatë protestës së djeshme, ka pasur edhe dëmtime të shumta në objektet publike, dëme në veturat zyrtare, të ministrive dhe policisë, po ashtu edhe një veturë me targa zyrtare është djegur.

Dëmtime ka pësuar edhe shtatorja e presidentit “Ibrahim Rugova”, ka treguar Kelani.

Sa i përket ditës së sotme, Kelani ka treguar se aktualisht situata është e qetë dhe nën kontroll të policisë.

“Nuk ka ndonjë problematikë të shfaqur, ne po vazhdojmë me realizmin e detyrave tona për ruajtjen e sigurisë publike, por për momentin vlerësohet të jetë e qetë. Kemi zyrtarë policor të mjaftueshëm për të realizuar detyrat për të mbajtur situatën nën kontroll, kemi caktuar në lokacione të ndryshme patrullime për mbarëvajtjen e sigurisë dhe për të marrë informacione për çfarëdo zhvillimi që mund të ndodhë”, ka bërë të ditur Kelani.

Nga ana tjetër, drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se gjendja shëndetesore e 13 perdonave të lënduar është e mirë.

“Unë do të jap një detaj se që nga dita e martë dhe në ditën e djeshme gjithsej kanë kërkuar ndihmë 25 persona, prej tyre janë 16 policë, 6 protestues dhe dy kalimtarë të rastit. Të gjithë të lënduarve u është dhënë ndihmë mjekësore dhe pas trajtimit mjekësor në klinikë të gjithë të lënduarit janë dërguar për trajtim në shtëpi", tha Lenjani..

Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, për afër dy muaj po pamundësojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe marrëveshjes për demarkacion me malin e Zi.

Si shenjë pakënaqësie të këtyre marrëveshjeve, partitë opozitare në vazhdimësi kanë protestuar, protesta këto të cilat kanë eskaluar në dhunë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG