Ndërlidhjet

Përfundon pengmarrja në Mali

  • RFE /RL

Zyrtarët e Qeverisë në Mali kanë thënë se forcat speciale i kanë dhënë fund rrethimit të një hoteli luksoz në kryeqytetin Bamako, ku janë mbajtur peng më shumë se 100 persona.

Ministri i Sigurisë, Salif Traore, ka thënë se trupat e Malit, të mbështetura nga forcat speciale amerikane dhe franceze, kanë hyrë në hotelin Radisson Blu dhe “kanë zhdukur” ekstremistët islamikë nga zona.

Së paku 18 trupa të pajetë raportohet se janë gjetur.

Grupi islamik Al-Murabitun ka thënë se ka bashkëpunuar me Al-Kaidën për të kryer sulmin.

Të armatosurit kanë shtënë me armë zjarri dhe kanë thirrur “Allahu Ekber” ose “Zoti është i madh”.

Së paku shtatë amerikanë kanë qenë në mesin e pengjeve.

Forca paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Mali ka thënë se ka mbështetur operacionin e shpëtimit.

Në muajin gusht, islamistë të dyshuar kanë vrarë 13 njerëz, përfshirë pesë punonjës të OKB-së, gjatë rrethimit të një hoteli në qytetin Sevare të Malit.

Franca, e cila e ka pasur koloni Malin, ka ndërhyrë në këtë vend në janar të vitit 2013, kur militantë të lidhur me Al Kaidën kanë kërcënuar të hyjnë në Bamako, pasi kanë marrë kontrollin e pjesës veriore të vendit.

“Duhet të jemi përsëri të vendosur dhe të tregojmë solidaritetin tonë me vendin mik, Malin”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande.

“Terroristët kanë hyrë në një hotel në Bamako dhe kanë marrë pengje. Jam vazhdimisht në kontakt me autoritetet e Malit. Sapo kam folur në telefon me presidentin Ibrahim [Boubacar] Keita dhe e kam siguruar atë se Franca është e gatshme të ndihmojë forcat e Malit”, ka thënë Hollande.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bamako, përmes një mesazhi në Twitter, u ka kërkuar qytetarëve amerikanë që të gjejnë strehim dhe të kontaktojnë familjet e tyre.

Traore ka thënë se së paku dhjetë persona të armatosur besohet se kanë sulmuar hotelin mëngjesin e së premtes.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka dënuar “sulmin e tmerrshëm terrorist” dhe ka thënë se dhuna ka për qëllim të shmangë zbatimin e një marrëveshjeje për paqe midis fraksioneve rivale në Mali.

Autoritetet kanë thënë se janë duke hetuar nëse sulmet në Mali kanë lidhje me sulmet e 13 nëntorit në Paris, që kanë lënë të vrarë 130 veta. (v.tela)

XS
SM
MD
LG