Ndërlidhjet

Kosova shënon rënie të përdorimit të antibiotikëve


Ilustrim

Ilustrim

Rezistenca ndaj antibiotikëve konsiderohet si sfida kryesore globale e shëndetësisë në shekullin XXI.

E, rezistencën e shkakton pikërisht përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve. Kjo temë është shndërruar në problem global, ku Kosova nuk bën përjashtim.

Kosova ka qenë kampione në Evropë në përdorimin e antibiotikëve injeksion të cef-reaksionit (grup antibiotikësh) vitin e kaluar.

Por, hulumtimet tregojnë se gjatë tre muajve të fundit të këtij viti, kjo dukuri ka shënuar rënie, gjë që, sipas profesionistëve shëndetësorë, konsiderohet si lajm i mirë.

Ndryshe, Kosova është e dhjeta në Evropë me shkallën e konsumit të përgjithshëm të antibiotikëve të përgjithshëm.

Në rubrikën “Fokus” të Radios Evropa e Lirë, do të trajtojmë temën se sa përdoret drejt antibiotiku në Kosovë, ku edhe po shënohet java Botërore e Vetëdijesimit për Antibiotikë.

Mikrobiologu Lul Raka, njëherësh koordinator i bashkëpunimit me Qendrën Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shpjegon për Radion Evropa e Lirë detaje të tjera lidhur me këtë problematikë.

“Elementi i parë i strategjisë sonë, ka qenë mbikëqyrja e përdorimit të antibiotikëve në të gjitha nivelet në Kosovë. Në kuadër të këtij pesëvjeçari, kemi grumbulluar të dhëna në tri fusha: atë në nivel importi të antibiotikëve, përshkrimi në spitale dhe në komunitet. Lajmi i mirë është që ndërkohë në qershor- korrik të këtij viti, kemi bërë hulumtim dhe ka rënie të përshkrimit të antibiotikëve nga profesionistë shëndetësorë”, deklaron Raka.

Në barnatoret e Kosovës, antibiotiku vazhdon të shitet pa recetën e mjekut. Edhe pse Kosova e ka një ligj që e ndalon shitjen e ilaçeve pa recetë, ligji vazhdon të mos respektohet.

Zyrtarë në Agjencinë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, bëjnë të ditur se futja në fuqi e Ligjit për sigurime shëndetësore dhe rimbursimit të barnave, do ta bëjë obligativ respektimin e shitjes së barnave me recetë, sepse pacientët nuk mund t’i blejnë barnat pa e pasur sistemin e referimit komplet.

Në anën tjetër, eksperti farmaceutik dhe ish-kryeshefi Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Arianit Jakupi, thotë se me udhëzime të reja administrative, është lejuar hyrja e antibiotikëve në mënyrë legale, dhe viti 2014 ka shënuar një rritje të konsumit të antibiotikëve, krahasuar me vitin 2013.

“Në vlerë monetare, në vitin 2013,ka pasur një përdorim të antibiotikëve më të ulët se në vitin 2014. Kjo pasi që AKPM-ja ka propozuar një udhëzim administrativ të miratuar Ministra e Shëndetësisë, që ka lejuar futjen e antibiotikëve, të cilët në të kaluarën është supozuar se kanë hyrë në mënyrë ilegale, derisa tash hyjnë në rrugë legale”.

“Kjo pjesë që ka hyrë në rrugë ilegale, tash, me udhëzimet e reja administrative që janë në fuqi, veçse është kufizuar. Këtu duhet përmendur edhe ndalimin e futjes së barnave nga pjesa veriore, pasi me marrëveshje të Brukselit, edhe kjo çështje është rregulluar. Dhe, në vitin 2015 kemi shifra që janë inkurajuese sa i përket kësaj çështjeje", shpjegon Jakupi.

Ndërkaq, mikrobiologu Raka tregon një problematikë tjetër që është tejet i përhapur në Kosovë - vetëmjekimi nga ana e qytetarëve dhe blerja e barnave pa përshkrimin e mjekut. E se sa është vetëdijesuar popullata lidhur me përdorimin e drejtë të antibiotikëve, Raka thotë:

“Vetëmjekimin nuk kemi mundur ta zgjedhim, shitjen e antibiotikëve pa recetë. Ky është problem që po përsëritet dhe presim që të zgjidhet, ku do të ketë restrikcion të përshkrimit të antibiotikëve”.

“Ministria e Shëndetësisë besoj që do ta pranojë propozimin e grupit punues që ta kufizojë përshkrimin e pakontrolluar,sidomos në kujdesin parësor dhe ta shpejtojë procedurën e udhërrëfyesve dhe protokolleve për trajtim në të gjitha institucionet shëndetësore, ku mjekët do t’i përshkruajnë barnat në përgjithësi, përfshirë edhe antibiotikët”.

Farmacistët në vend thonë se ndonëse vazhdon kërkesa e qytetarëve për blerjen e antibiotikëve pa recetën e mjekut, kjo dukuri po shënon rënie.

Farmacisti Visar Ademi thotëse në rastet kur qytetarët kërkojnë antibiotik pa recetë të mjekut, farmacistëti udhëzojnë ata të kontrollohen te mjeku para marrjes së ilaçeve të tilla.

“Mendoj se njerëzit sado pak janë vetëdijesuar dhe pa recetë antibiotikët po kërkohen më pak. Ende ka raste të tilla, por edhe ne si farmacistë, i këshillojmë që pacientët të bëjnë antibiogramin dhe më pas mjeku t’u caktojë llojin e antibiotikut”.

“Megjithatë, si fenomen është prezent, pasi kjo varet nga kultura e vetë atyre qytetarëve që kërkojnë një antibiotik që ta kenë në shtëpi, dhe mendojnë se kanë njohuri që ta mjekojnë veten”, tregon farmacisti Ademi.

Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thotë se në bazë të hulumtimeve që kanë realizuar në bashkëpunim me institucionet relevante, del se qytetarët nuk janë të vetëdijesuar mjaftueshëm për përdorimin e drejtë të antibiotikëve, i përdorin pa përshkrim të mjekut dhe, siç thotë ai, madje edhe mjekët përshkruajnë antibiotikë pa indikacione të mirëfillta.

“Rekomandimet e OBSH-së për Kosovën, janë që të antibiotikët nuk mund të blihen në barnatore derisa kjo ndodh në baza ditore. Nëpërmjet Inspektoratit duhet ndërmerren masa që të ndalohet një gjë e tillë, pastaj përmbajtja strike e përshkrimit të antibiotikëve nga ana e profesionistëve shëndetësorë, duke mos ndërhyrë te industritë farmaceutike për interesa personale”, shprehet Syla.

Për një dukuri të tillë, flasin edhe vetë qytetarët. Vlora Qerimi, 30-vjeçare, tregon përvojën personale të blerjes së barnave pa recetë:

Kam pasur rastin kur kam blerë antibiotikë pa recetë të mjekut. Në të shumtën e rasteve e vizitoj mjekun, por ka raste kur edhe e blej vetë pa përshkrim të mjekut. Por, një gjë e di, antibiotikun e blen pa problem në cilëndo barnatore në Prishtinë”.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë sese në bazë të denoncimeve që bëjnë qytetarët dhe në bazë të inspektimeve nga inspektorët në terren, ka indikacione që barnat shiten pa recetë.

Por, sipas tyre, me hyrjen në fuqi të Ligjit për sigurime shëndetësore, do tëpërforcohen masat dhe të zbatohet përshkrimi i mjekut.

Sipas një hulumtimi të bërë mes spitaleve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Kosovës, ka rezultuar se në spitalet e pediatrisë ku trajtohen fëmijët e moshës nën 18 vjet, antibiotikë marrin 36 për qind e fëmijëve në vendet e BE-së, derisa në Kosovë kjo përqindje arrin në 67 për qind, kanë deklaruar zyrtarë shëndetësorë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG