Ndërlidhjet

Maqedoni: Mediet, të pakënaqura me zgjidhjet e ofruara


Ilustrim

Ilustrim

Bisedimet ndërmjet partive politike në Maqedoni për çështjen e medieve, nuk do të përfundojnë të paktën edhe një javë, edhe pse afati për arritjen e marrëveshjes për rregullimin e kësaj sfere, ka skaduar të premten.

Shkas për këtë shtyrje të radhës të zbatimit të marrëveshjes politike janë reagimet e ashpra të shoqatave të medieve lidhur me ndryshimet në Kodin zgjedhor, që, sipas tyre, parashohin kufizime të shumta dhe në veçanti, rritje të gjobave që mund të vënë në pikëpyetje ekzistencën e tyre.

Ndryshimet në Kodin zgjedhor që përfshijnë edhe disa çështje me punën e medieve, janë miratuar kohë më parë, por vetëm tani shoqatat e medieve kanë mësuar për përmbajtjen e tyre, pasi ndryshimet ishin miratuar në procedurë të shpejtuar, pa debat apo leximin e tekstit nga shoqatat e medieve.

“Ne nuk jemi naivë dhe nuk do të lejojmë që pas dyerve të mbyllura dhe përmes pazareve të ndryshme, të vendosin për ardhmërinë tonë ata që nuk kanë kulturën më elementare, jo vetëm mediatike, por edhe demokratike. Ne nuk do të heshtim dhe jemi të bashkuar si asnjëherë më parë që të pengojmë ata që çështjen e medieve, apo dispozitat ligjore, i kuptojnë vetëm si mjet për gjoba, censurë dhe zbatimin selektiv të së drejtës”, thotë Tamara Çusidis, nga Sindikata e medieve.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani, nuk e ka përjashtuar mundësinë e protestave, por edhe bojkotimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse shoqatat e medieve nuk inkuadrohen në bisedimet ndërmjet partive politike, apo nëse nuk tërhiqen ndryshimet e miratuara në Kodin zgjedhor që më së shumti do të godasin portalet, por edhe mediat e tjera.

“Ndryshimet më të reja të Kodit zgjedhor, lidhur me mediat, të miratuara në procedurë jotransparente, duke vënë gazetarët dhe mediat para aktit të kryer, janë skandaloze dhe tërësisht të papranueshme. Dyfishimi i dënimeve hap shumë dilema dhe do të rrisin presionet ndaj medieve, prandaj kërkojmë që këto zgjidhje të rishqyrtohen dhe menjëherë të përfshihen gazetarët dhe mediat në bisedim".

"Nëse kjo nuk ndodh, do të organizojmë protesta para klubit të deputetëve. Po ashtu, do të ftojmë mediat dhe gazetarët që të bojkotojnë zgjedhjet që do të dalin nga këto bisedime dhe ato të organizojnë zgjedhje pa media”, thotë Naser Selmani, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.

Partitë në pushtet thonë se janë të interesuar për forcimin e lirisë së shprehjes dhe se gjatë hartimit të ligjit kanë realizuar konsultime të gjithanshme, pohime këto që bien ndesh me kritikat e shoqatave të medieve.

Nga VMRO-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, nuk sqarojnë nëse do të përfshihen në bisedime edhe shoqatat e medieve.

“Liria e medieve dhe funksionimi normal i tyre është interes i përgjithshëm, nuk është interes vetëm i politikanëve, apo i gazetarëve, por edhe ekonomisë, sindikatës, bashkësive fetare dhe shoqërisë, në përgjithësi. Ne kemi bërë konsultime të gjëra, kemi dëgjuar pikëpamje të ndryshme dhe ne jemi të vendosur që kështu të vazhdojmë deri në fund të procesit”, deklaron Ilija Dimovski, pjesëmarrës në bisedimet politike nga radhët e VMRO DPMNE-së.

Ndryshe, në bisedimet që po zhvillohen ndërmjet partive politike, dominojnë kryesisht temat që kanë të bëjnë me punën e transmetuesit publik, Radio Televizionit të Maqedonisë, publikimin e reklamave shtetërore në media, të cilat deri më tani janë ndarë në mënyrë selektive, por edhe çështje tjera që ndërlidhen me pavarësinë e tyre.

Nevoja për ndryshime të tilla vjen pas kritikave të shumta që ka marrë Maqedonia në të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare dhe raportet e Komisionit Evropian si vendi me liri të kufizuar të shprehjes.

XS
SM
MD
LG