Ndërlidhjet

Brukseli me alarmin më të lartë të sigurisë


Brukseli nën alarmin më të lartë të sigurisë
Brukseli nën alarmin më të lartë të sigurisë

Kryeqyteti i Belgjikës, Brukseli, është nën alarmin më të lartë të sigurisë, në kategorinë “kërcënim i menjëhershëm”, për shkak të, siç ka thënë kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, “informacionit shumë preciz për rrezikun e sulmit, sikur ai që ka ndodhur në Paris”.

Të shtunën, kryeministri Michel e ka shpallur nivelin e katërt të alarmit të sigurisë, duke iu referuar sulmeve të tmerrshme terroriste në Paris, më 13 nëntor, nga të cilat janë vrarë 130 vetë dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Grupi esktremist, Shteti Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për sulmet në Paris.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, tha se zyrtarë të sigurisë kanë shqetësime se “disa individë me armë dhe eksploziv mund të lansojnë sulm, me gjasë madje në disa lokalitete”.

Sistemi i metrosë dhe ai hekurudhor i qytetit është ndalur, derisa banorët janë këshilluar të rrinë brenda shtëpive dhe objekteve.

“Ne kërkojmë nga publiku që të mos ketë panik”, tha Michel, duke shtuar se “ne kemi ndërmarrë masa që janë të domosdoshme”.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Belgjikës e ka mbajtur të shtunën një sesion të jashtëzakonshëm.

Siguri shtesë është ndërmarrë në trena, në stacionet hekurudhore dhe në aeroporte.

Pjesa tjetër e Belgjikës, duke mos e përfshirë Brukselin, është në nivelin e tretë të alarmit të sigurisë.

Lideri i dyshuar i grupit, që i ka ndërmarrë sulmet në Paris, Abdelhamid Abaaoud, ishte shtetas i Belgjikës me origjinë nga Maroku. Ai është vrarë në konfrontim me forcat e sigurisë, në një lagje të Parisit lidhur me sulmet e 13 nëntorit.

I dyshuari tjetër, Salah Abdelsalam, shtetas i Belgjikës, ende nuk është zënë. Belgjika ka paraqitur akuza penale kundër tre shtetasve të saj, që janë arrestuar në Paris lidhur me sulmet terroriste.

Zyrtarët në gjithë botën po zhvillojnë hetime lidhur me rrjetet kryesisht franceze dhe belge, që i kanë kryer sulmet në Paris, me ndihmën e radikalëve islamikë në Siri.

Policia në Turqi tha se i ka arrestuar tre militantë të dyshuar të grupit ekstremist, Shteti Islamik, përfshirë edhe një shtetas të Belgjikës, i cili është i akuzuar se ka vepruar si informator për planifikuesit e sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris.

Në Bruksel, të cilit shumë njerëz i referohen si “kryeqytet” i Bashkimit Evropian, gjendet selia e BE-së dhe NATO-s, dhe në të gjenden përfaqësues të shumë korporatave të mëdha.

Në Bruksel jetojnë një milion banorë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG