Ndërlidhjet

Ukrainë: Shënohet dyvjetori i protestave


Pamje gjatë marshit përkujtimor të vitit të kaluar për protestat Euromaidan në Kiev

Në gjithë Ukrainën po shënohet Dita e Dinjitetit dhe Lirisë, me ç’rast përkujtohen protestat Euromaidan, nga të cilat u përmbys presidenti i atëhershëm, Viktor Yanukovich.

Përkujtimet për ngjarjet e vitit 2013 janë mbajtur jo vetëm në kryeqytetin Kiev, por edhe në qytete të tjera të Ukrainës.

Zyrtarët qeveritarë, pjesëmarrësit e protestave Euromaidan dhe qytetarët e zakonshëm, sot kanë mbajtur ceremoni dhe kanë vendosur lule në një monument në Kiev, që është ngritur në nderim të protestuesve të vrarë gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë.

Protestat Euromaidan filluan më 21 nëntor të vitit 2013, kur demonstruesit u tubuan në Kiev, pasi Yanukovich kishte shpallur se po i shtynte planet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asocimit me Bashkimin Evropian dhe do të synonte lidhje më të afërta me Rusinë.

Në shkurt të vitit 2014, Yanukovich u largua në Rusi dhe u shkarkua nga posti i presidentit.

Presidenti aktual i Ukrainës, Petro Poroshenko, i ka uruar vendit përvjetorin dhe ka shpallur se e ka nënshkruar një pako të ligjeve që sigurojnë udhëtim pa viza me Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë me shkrim, Poroshenko tha se “e dinë se populli nuk është i kënaqur me cilësinë dhe ritmin e ndryshimeve pas Euromaidanit” dhe ka shtuar se “reformat që kanë filluar ende nuk kanë sjellur përmirësim në standardin e jetesës”.

Mëtutje ai ka theksuar se “lufta kurrë nuk ka sjellur lulëzim. Ne i kemi qëndruar dhe po i qëndrojmë aksionit ushtarak në territorin tonë dhe agresionit ekonomik të përmasave të gjëra nga Rusia”.

XS
SM
MD
LG