Ndërlidhjet

Bankat - me hipoteka për bizneset, sa trefishi i kredisë


Ilustrim

Ilustrim

Bizneset vazhdojnë të mbesin sektori më i preferuar i bankave për t’u dhënë kredi. Kjo vërehet edhe në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, ku thuhet se vlera e kredive ka arritur në afër 2 miliardë euro.

Nga kjo shumë, mbi 1 miliard e 300 mijë euro janë kredi për ndërmarrje, kurse vlera tjetër kredi për ekonomi familjare.

Rritja e përshpejtuar e kreditimit bankar, e shprehur te kreditë ndaj ndërmarrjeve, thuhet në raport, përkon me trendin rënës të normave të interesit në kredi dhe me lehtësimin e standardeve dhe kushteve të kreditimit nga bankat.

Ndryshe, norma efektive për kredi për ndërmarrje është zvogëluar në 7.5 për qind, kurse për bujqësi 9.3 për qind.

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë, thonë se kushtetdhe kamatat e kredive nuk janë në favor të bizneseve, por në mungesë të mjeteve vetanake, alternativë të vetme bizneset thonë se kanë huamarrjen e parave në banka.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, pohon se kohëve të fundit bankat komerciale në Kosovë kanë arritur një marrëveshje ndërmjet vete, që t’i ulin normat e interesit, por megjiëkëtë ato ende mbesin më të lartat në vendet e Bashkimit Evropian.

Shahini thotë se në disa raste, pikërisht normat e larta të kredisë, kanë detyruar të falimentojnë prodhuesit kosovarë.

“Është më lehtë se para disa viteve. Por, prapë se prapë këto interesa njëshifrore janë për korporata më të fuqishme, kurse për bizneset, e sidomos ato të bujqësisë, e që kanë afat të shkurtër të kthimit, interesi ka mbetur dyshifror”, thotë Shahini për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Samir Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, konsideron se pavarësisht uljes së kamatave, këto vlera nuk janë të kënaqshme për bizneset.

Normat e aplikuara nga bankat komerciale, thotë ai, nuk ndihmojnë në zhvillimin e veprimtarisë afariste të bizneseve.

“Duhen ndryshime shumë të mëdha, Qeveria duhet të krijojë mundësi që të ulen normat e interesit. Këto norma nuk janë favorizuese për biznese, duke marrë parasysh se konkurrenca në mes bizneseve është shumë e madhe”.

“Unë mund të them se duhet të punohet shumë në këtë drejtim, në mënyrë që, të paktën, të jenë të ngjashme me normat e interesit në rajon”, vlerëson Krasniqi.

Përveç normave të larta të interesit, Krasniqi thekson se edhe procedurat dhe kërkesat e nevojshme për një kredi, paraqiten barrë për bizneset.

“Bankat, natyrisht, që bëjnë biznesin e tyre dhe ato janë të thirrura që ta kenë të sigurt në atë që japin. Në këtë drejtim bizneset janë shumë të ngarkuara me procedurat administrative. Në të njëjtën kohë, të ngarkuar me hipotekat e tyre, të cilat duhet t’i paraqesin në banka, vlerësohen deri në trefish të shumës që kërkojnë për kredimarrjes. Dhe kjo natyrishtqë është pengesë shumë e madhe”, thotë ai.

Kërkesa e bankave për hipotekë, në shumë raste u pamundëson bizneseve që të aplikojnë për kredi, konsideron Agim Shahini.

“Në raste të veçanta bizneset nuk kanë hipotekë, sepse në shumicën e rasteve kërkohet më shumë se trefishi i marrjes së kredisë. Dhe, kjo e bën bankën tepër të sigurt. Në anën tjetër, hipotekën e ndonjë korporate apo të një personi fizik e mban peng për një kohë tepër të zgjatur, e që kjo ia zvogëlon mundësinë për të marrë kredi më të gjatë”, shton Shahini.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, struktura e kreditimit të ndërmarrjeve sipas veprimtarive ekonomike, mbetet e kryesuar nga kreditë e destinuara për tregti, me mbi 50 për qind, pasuar nga ato për prodhimtari dhe ndërtimtari.

Sektori i bujqësisë vazhdon të ketë qasje më të ulët në financimin bankar me një pjesëmarrje afër katër për qind.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG