Ndërlidhjet

logo-print

Brukseli nuk ul nivelin e alarmit të sigurisë

  • RFE /RL

Bruksel...

Bruksel...

Kryeqyteti i Belgjikës, Brukseli, që ka edhe epitetin e kryeqytetit të Evropës, për të dytën ditë me radhë është nën masat e jashtëzakonshme të sigurisë me nivelin më të lartë të mundshëm të alarmit, për shkak të rrezikut nga sulmet terroriste.

Vazhdon të jetë i mbyllur sistemi i transportit nëntokësor urban, ndërkohë që janë anuluar ngjarjet sportive, koncertet, e edhe muzetë janë të mbyllur.

Nëpër rrugët e qytetit vazhdojnë të patrullojnë policë dhe ushtarë me armë zjarri. Ata kryesisht janë të vendosur para ndërtesave të institucioneve, por edhe në hyrje të hoteleve.

Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, ka konfirmuar se vendimi është marrë në bazë të informatave se ekziston rrezik nga sulmet terroriste të ngjashme me ato në Paris, por nuk ka dashur të japë më shumë informacione për të mos rrezikuar operacionet që janë në vazhdim e sipër nga njësitë e sigurisë së Belgjikës.

"Ka indikacione se disa individë me armë dhe eksplozivë mund të ndërmarrin sulme ndoshta në disa lokacione në të njëjtën kohë”, ka thënë kryeministri i Belgjikës.

Ai ka porositur qytetarët që të shmangin frekuentimin në disa zona të qytetit.

"Sipas analizës së agjencisë së rrezikut nga terrorizmi, kemi identifikuar në mënyrë më të saktë hapësirat publike si rrugët tregtare, qendrat tregtare, hapësirat ku tubohen shumë njerëz dhe transportin. Rajoni i Brukselit tash është në shkallën 4 të rrezikshmërisë, ndërsa pjesa tjetër e Belgjikës mbetet në shkallën 3”, ka thënë kryeministri Charles Michel.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Belgjikës, Jan Jambon, ka konfirmuar pak a shumë atë që ka thënë kryeministri dhe ka shtuar se situata është serioze, por nën kontroll.

"Ekzistonte pyetja se pse ne vendosëm të rrisim nivelin e alarmit në 4 dhe kryeministri e tha këtë, sepse ka indikacione se njerëz me armë dhe me mjete shpërthyese, ndodhen në rajonin e Brukselit, por ne nuk japim asnjë detaj më tepër, sepse shumë hetime janë duke vazhduar dhe nuk duam të bëjmë gabime që do të rrezikonin procedurën. Prandaj, edhe nuk komunikojmë më shumë detaje”, ka deklaruar Jambon.

Njëra prej arsyeve të ngritjes së nivelit të alarmit në rrezikun më të madh të mundshëm, mund të jetë edhe fakti se njëri prej të akuzuarve kryesorë për masakrën në Paris, Salah Abdeslam, i cili ndodhet në arrati, supozohet të jetë në Bruksel.

Në kërkim të tij, policia ka zhvilluar disa operacione në lagjen “Molenbeek” në Bruksel.

Mediet e Belgjikës njoftojnë se operacionet e njësive speciale janë në kërkim të rreth 10 të dyshuarve për terrorizëm.

Belgjika është përmendur shumë këto ditë rreth sulmeve terroriste në Paris, sepse një numër i madh i personave të përfshirë, janë nga Belgjika, ndërkaq edhe ministri i Brendshëm i Francës ka thënë se sulmet e Parisit ishin planifikuar nga persona në Belgjikë.

Prandaj, tash edhe organet shtetërore të Belgjikës janë duke ndërmarrë masat më të rrepta të mundshme për të zbuluar terroristë potencial dhe për të parandaluar sulmet.

Edhe në nivel të Bashkimit Evropian janë miratuar disa masa për luftë kundër terrorizmit, përfshirë forcimin e kontrollit kufitar në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Ministrat e BE-së kanë porositur që sidomos të forcohet kontrolli i kufijve ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, prej nga supozohet se në BE kontrabandohet një sasi e madhe e armëve, të cilat potencialisht mund të përfundojnë në duart e terroristëve.

XS
SM
MD
LG