Ndërlidhjet

logo-print

Grass: Ekstremizmi i dhunshëm kërcënim për gjithë botën


Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerali Frank Grass.

Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerali Frank Grass.

Ekstremizmi i dhunshëm paraqet kërcënim për gjithë botën dhe jo vetëm për vendet veç e veç, ka deklaruar të martën në Prishtinë, Shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjenerali Frank J. Grass.

Gjatë një ligjërate që ka mbajtur në kontekst të sfidave në rritje me të cilat po përballet NATO, si nga Moska ashtu edhe nga aktorë jo-shtetërorë të tillë si i ashtuquajturi “Shteti Islamik”, gjenerali Grass ka thënë se NATO do të qëndrojë me zonën euroatlantike për t'u përballur me të gjitha këto sfida.

"Për të arritur suksese në përballjen me sfidat e reja të sigurisë duhet rritur komunikimin, konsultimet, shkëmbimin e informatave dhe arritjen e marrëveshjeve mbi objektivat kyçe", ka thënë gjenerali amerikan.

Sfidat urgjente të sigurisë në rajonin euroatlantik, sipas tij, sot janë ndryshe nga ato që ishin në të kaluarën, pasi që në skenë janë paraqitur edhe organizata të ekstremizmit të dhunshëm.

"Kërcënimet e shumta ndaj Evropës Juglindore, siç është ekstremizmi i dhunshëm, bashkë me dyndjen e paprecedentë të migrantëve e refugjatëve si dhe trafikimi me armë, droga e qenie njerëzore, që të gjitha kërkojnë një përgjigje të koordinuar nga të gjitha qeveritë dhe vendet ", ka thënë gjenerali Grass.

"Ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e konsiderojmë këtë si një kërcënim strategjik për ekzistencën tonë. Ne e konsiderojmë këtë si kërcënim sigurie për gjithë botën. Por, si do ta trajtojmë këtë - mendoj se nuk ka të bëjë me një luftë botërore në asnjë mënyrë", ka thënë gjenerali amerikan.

Ai ka tërhequr vërejtjen se problemi me ekstremizmin nuk duhet të shihet vetëm nga këndvështrimi ushtarak.

Kështu që, korniza e re e sigurisë në Evropën Juglindore, sipas tij, nuk do të kufizohet vetëm në aftësitë ushtarake të vendeve, por edhe në zhvillimin e ekonomisë, sundimit të ligjit, arsimit e fusha tjera zhvillimore.

Gjenerali amerikan është përgjigjur edhe në disa pyetje që kanë të bëjnë me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Përveç se i ka dhënë mbështetje këtij transformimi, gjenerali amerikan ka shprehur besimin se FSK ka arritur tashmë standardet e kërkuara nga NATO.

"Nuk ka dyshime në mendjet tona që FSK është e përgatitur dhe nëse Kuvendi merr vendim që të ndryshoj Kushtetutën ne e mirëpresim", ka thënë gjenerali Grass.

Njëherësh ai ka rikujtuar se forcat e ardhshme të Kosovës duhet të reflektojnë edhe strukturën e popullatës duke qenë shumë etnike.

Gjatë kësaj vizite në Prishtinë, gjenerali Frank J. Grass ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve të Kosovës.

Në këto takime kanë dominuar temat në lidhje me sfidat e reja nga fusha e sigurisë.

Po ashtu, institucioneve të Kosovës dhe kuadrove të reja u është konfirmuar mbështetja amerikane duke u siguruar atyre vazhdimin e trajnimeve dhe shkollimin në institucionet amerikane.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG