Ndërlidhjet

logo-print

Masat e shtuara të sigurisë, si mjet parandalimi


Ilustrim

Ilustrim

Në përballje me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar, autoritetet e rendit në Kosovë kanë rritur masat e sigurisë.

Këto masa u kumtuan në takimin e mbajtur të hënën të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, në të cilin është shqyrtuar gjendja e sigurisë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha për Radion Evropa e Lirë, se pas vlerësimeve dhe ngjarjeve të fundit në disa shtete evropiane, ku kanë ndodhur disa sulme terroriste, edhe Kosova ka marrë veprime për shtimin e masave të sigurisë.

“Policia e Kosovës ka marrë masat e saja të nevojshme, ka shtuar vigjilencën dhe ka shtuar prezencën policore në disa lokacione, dhe në bazë të vlerësimeve edhe në vendet e tjera, se mund të ketë në një mënyrë apo tjetër, akt të ndonjë sulmi të mundshëm terrorist. Deri në ketë fazë nuk ka ndonjë informacion të saktë për ndonjë sulm të mundshëm në Kosovë”, tha Kelani.

Zoti Kelani tha se Polica e Kosovës është duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare të sigurisë në mënyrë që incidentet e tilla të mos ndodhin në Kosovë.

Policia e Kosovës, u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe t’ju shmangen vendeve që janë shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare.

“Të mos frekuentohen disa lokacione apo ambiente ku ata mund t’i konsiderojnë si tubime, në lokacione ku ka frekuentim të madh. Këto vlerësime janë bërë sikurse edhe në vendet e tjera të rajonit që njëkohësisht kanë ardhur vlerësime të kohës së përbashkët, në mënyrë që të parandalohet çdo incident i mundshëm. Ajo që është me rëndësi është se nuk ka vend për panik nga ana e qytetarëve”, tha Kelani.

Kurse, njohësi çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani tha se autoritetet e rendit duhet të ndërmarrin masa për parandalimin e sulmeve sidomos në ato vende ku konsiderohen pika vitale të interesit shtetëror.

“Shtimi i masave të sigurisë në Kosovë është një veprim i duhur dhe si të tilla institucionet e kanë për obligim që t'i rrisin aktivitetet e tyre, qoftë me përcjelljen, përkatësisht monitorimin e individëve apo grupeve të caktuar për të cilat ka dyshime. Po ashtu edhe në ruajtjen e objekteve vitale dhe pikave të interesit nacional të cilat fatkeqësisht edhe më tutje në Kosovë nuk janë precizuar me ligj”, tha Ramadani.

Deri më tash, bazuar në njoftimet zyrtare, janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë.

Kosova është përballur që në vitin 2012 me rastet e para të shkuarjes së qytetarëve të saj në Siri, duke iu bashkuar organizatave si Al-Nusra apo edhe grupi i quajtur Shteti Islamik.

Rreth 300 qytetarë të Kosovës i janë bashkuar konfliktit në Lindjen e Mesme ndërsa aktualisht sipas vlerësimeve të organeve të sigurisë numri sillet nga 60 deri në 100 veta. Mbi 40 prej tyre janë të deklaruar të vdekur.

Institucionet e Kosovës bashkë me bashkësitë fetare, agjencitë e sigurisë e organizatat e shoqërisë civile, kanë hartuar strategji kombëtare për “Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit”, në përpjekje për të gjetur rrugët për përballje më këtë dukuri.

Në muajin mars, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin që parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata qytetarë nga Kosova që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftëra të huaja.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG