Ndërlidhjet

logo-print

Rusi: Është gjetur piloti i dytë nga aeroplani i rrëzuar


Pamje e aeroplanit luftarak rus Su-24

Pamje e aeroplanit luftarak rus Su-24

Ambasadori i Rusisë në Francë, Aleksandr Orlov, ka thënë se piloti rus, i cili konsiderohej i zhdukur pasi aeroplani i tij dje ishte rrëzuar nga aeroplanët luftarakë të Turqisë, është gjetur dhe dërguar në një bazë ushtarake ruse në Siri.

Mëtutje, ambasadori Orlov i tha sot radios Europe 1se piloti i kishte shpëtuar zënies nga kryengritësit, që luftojnë kundër regjimit të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, dhe ishte “marrë nga ushtria e Sirisë”.

Ai nuk ka komentuar lidhur me identitetin e pilotit apo për gjendjen shëndetësore të tij.

Një pilot rus është vrarë dje pas rrëzimit të aeroplanit luftarak rus, Su-24, nga ana e Forcës ajrore të Turqisë, përgjatë kufirit me Sirinë.

Ankaraja thotë se ky aeroplan e kishte cenuar hapësirën ajrore të Turqisë dhe i kishte injoruar 10 tërheqje të vërejtjes.

Moska tha se aeroplani luftarak rus ishte në hapësirën e Sirisë dhe e ka akuzuar Turqinë për mbrojtje të terroristëve duke e rrëzuar aeroplanin rus.

Aeroplani Su-24 ishte pjesë e fushatës së sulmeve ajrore të Rusisë, që thotë se i ka në shënjestër militantët e Shtetit Islamik.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore dhe ato arabe, thonë se sulmet ajrore të Moskës, në të shumtën e rasteve, janë të drejtuara kundër kryengritësve që luftojnë kundër Assadit dhe ato kanë për qëllim forcimin e regjimit të tij.

XS
SM
MD
LG