Ndërlidhjet

SHBA-ja dhe Franca, të bashkuara kundër terrorit


Francois Hollande dhe Barack Obama, 24 nëntor, Uashington
Francois Hollande dhe Barack Obama, 24 nëntor, Uashington

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Franca “qëndrojnë të bashkuara” kundër terrorizmit dhe se grupi militant Shteti Islamik dhe ideologjia e tij “paraqesin kërcënim serioz për të gjithë”.

Këto komente u bënë mbrëmë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, në konferencën për shtyp të zotit Obama dhe presidentit të Francës, Francois Hollande.

“Ne jemi sot këtu për të deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe Franca qëndrojnë të bashkuara në solidaritet total për t’i sjellur para drejtësisë terroristët, që i kanë kryer sulmet e 13 nëntorit në Paris, dhe ata që i dërguan atje, për t’i mbrojtur vendet tona”, iu drejtua Obama zotit Hollande.

Presidenti amerikan theksoi se ky grup militant “nuk mund të tolerohet dhe se duhet të shkatërrohet” dhe ka shtuar se këtë “do ta bëjnë së bashku” Shtetet e Bashkuara dhe Franca.

Pamje të “luftës” në Paris
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:00 0:00

Presidenti francez e ka bërë një krahasim ndërmjet sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001 dhe atyre në Francë.

“Është e vërtetë se pas sulmeve të 11 shtatorit, i gjithë populli francez ishin amerikanë. Pas 13 nëntorit, amerikanët janë francezë”, tha Francois Hollande.

Rrjedhimisht, ai theksoi se duhet të ketë përgjigjje kolektive.

“Ne na duhet të kemi përgjigjje të përbashkët, kolektive, të paepur ndaj Daeshit. Franca dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara për dhënien e kësaj përgjigjeje”, tha Hollande, duke e përdorur referencën arabe Daesh për Shtetin Islamik.

Vizita e presidentit të Francës në Uashington u bë 11 ditë pasi në Paris u vranë 130 vetë dhe më se 350 të tjerë u plagosën. Kjo ka shkaktuar një operacion të gjërë të kërkimit për bashkëpunëtorët e kryesve dhe komplotet e tjera potenciale terroriste.

Militantët e Shtetit Islamik e kanë marrë përgjegjësinë për këto sulme. Shtetet e Bashkuara kanë shpallur alarm global të udhëtimit për shtetasit e vet.

Presidenti Hollande tha se është çështje urgjente që të mbyllet kufiri Turqi – Siri, për t’i parandaluar terroristët nga udhëtimi në Evropë. Ai dhe Obama janë pajtuar për shtimin e intensitetit të sulmeve ajrore kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Presidenti Obama u ka shprehur mirënjohje njerëzve në Paris që kanë treguar se si duhet të qëndrohet fuqishëm ndaj ballafaqimit me terrorizëm.

“Ne do t’i mposhtim grupet si ISIL-i”, tha Barack Obama.

Ai e bëri një krahasim ndërmjet koalicionit që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara në luftën kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe atij që e udhëheq Rusia.

“Ne kemi një koalicion prej 65 vendeve që ishin aktive në shtyrjen prapa të ISIL-it për një kohë. Franca ishte pjesë qendrore e këtij koalicioni, ashtu sikur edhe vendet evropiane, ato arabe, pastaj vendet si Australia dhe ato në Azinë juglindore. Tash Rusia është në koalicionin e dy vendeve – Irani dhe Rusia në mbështetje të Assadit”, tha Barack Obama.

Presidenti Hollande tha se në takimin me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, do të kërkojë që me sulmet ajrore të Rusisë të qëllohen caqet e militantëve të Shtetit Islamik, e jo opozita e moderuar në Siri.

“Do t’i them Putinit, diçka që tashmë u kam thënë disa herë rusëve, se sulmet duhet të organizohen kundër Daeshit, kundër terrorizmit, kundër atyre që na kërcënojnë neve”, tha Francois Hollande, në Uashington.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG