Ndërlidhjet

Ngurimi për t'u testuar për HIV/AIDS


Ilustrim
Ilustrim

Java Evropiane e Testimit për virusin HIV/AIDS, në Kosovë edhe këtë vit po shënohet nga data 20 -27 nëntor.

Në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, që në vitin 2003 ka filluar puna në Qendrat për Këshillim dhe Testim Vullnetar në Kosovë, derisa në shkurt të vitit 2005 ka filluar të përdoret terapia retrovirale për personat që jetojnë me virusin HIV.

Këto qendra ofrojnë shërbime falas dhe deri tani në këtë qendër janë testuar dhe këshilluar më shumë se 3 mijë klientë.

Profesionistët shëndetësorë thonë se gjatë një muaji, këtë qendër e frekuentojnë deri në 20 persona, derisa në Javën Evropiane për testim vullnetar rritet dukshëm numri i atyre që dëshirojnë të kryejnë këtë test.

"Derisa Qendra për Këshillim dhe Testim Vullnetar për një muaj frekuentohet nga rreth 20 persona, kur është Java Evropiane për testim, rritet dukshëm numri i personave që dëshirojnë të kryejnë testim falas".

"Gjatë ditës frekuentohet nga rreth 20 persona. Kjo për shkak të sensibilizimit që bëhet në opinion lidhur me këtë virus", ka theksuar Izet Sadiku, infektolog, njëherësh zëvendësministër i Shëndetësisë.

Ndryshe, Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, ka bërë të ditur se përdoruesit e substancave narkotike, shumë pak janë të interesuar të bëjnë teste për HIV/AIDS, ndonëse konsiderohen si persona me rrezikshmëri të lartë.

"Në organizatën Labyrinth bëjmë këshillimin dhe testimin vullnetar të HIV/AIDS, por të rinjtë nuk janë shumë të interesuar për këtë testim. Sigurisht këtu ekziston edhe stigma për shkak të etiketimit".

"Por, unë mendoj se nuk e dinë rrezikshmërinë e infeksionit. Është numri i vogël i atyre që bëjnë testim vullnetar. Fatmirësisht ne Kosovë deri tash nuk është diagnostikuar asnjë përdorues i drogave me HIV/AIDS".

Por, të rinjtë në Kosovë janë në njohuri lidhur me këtë virus, dhe mënyrën e testimit.

"Përmes mjeteve të informimit jam informuar. Nuk e di aq mirë, por për aq sa di, përhapet përmes gjakut ose marrëdhënieve pa masa mbrojtëse. Sa i përket testimit, kam dëgjuar që testimi bëhet falas, por unë personalisht asnjëherë nuk e kam bërë testimin edhe pse e di që është falas”, shprehet Labinot Haliti, student.

Sidoqoftë, në Kosovë gjatë këtij viti janë lajmëruar katër persona të rinj, me sëmundjen e HIV/AIDS për trajtim në Klinikën Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, Kosova numëron rreth 100 persona të prekur nga kjo sëmundje, që nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë.

Derisa, infektologu Murat Mehmeti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se gjithsej janë 23 persona në terapi dhe nën kujdesin e kësaj klinike.

XS
SM
MD
LG