Ndërlidhjet

logo-print

Nivelin e lartë të keqpërdorimeve në fushën e prokurimit publik, autoritetet e Kosovës nuk po arrijnë ta zvogëlojnë, vlerësojnë përfaqësues të organizatave ekonomike që merren me mbrojtjen e interesave të bizneseve dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Fusha e prokurimit publik, vlerësojnë ata, vazhdon të mbetet një ndër fushat më të korruptuara në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ende një pjesë e madhe e ankesave që i marrin nga bizneset lidhen me parregullsitë në fushën e tenderimit.

“Pavarësisht premtimeve të shumta që janë bërë nga ana zyrtarëve të ri të qeverisë dhe pavarësisht përfshirjes së nevojës për përmirësimin e aktiviteteve të prokurimit publik edhe në planin qeverisës të aprovuar nga qeveria në fund të vitit të kaluar, nuk ka pasur ndonjë progres apo ndonjë ndryshim substancial në fushën e prokurimit që nga viti i kaluar e tutje, dhe kjo lë shumë hapësirë për shqetësim nga ana e bizneseve”, shton Zeka.

Që nga fillimi i viti 2015, Ligji i prokurimit publik ka qenë në plotësim-ndryshim dhe deri më tani ai ligj ende nuk është ndryshuar, thotë Zeka, duke shtuar, se ende nuk janë as dispozitat që do të mundësojnë përdorimin e prokurimit elektronik, që është një formë e cila do të mund të zvogëlonte keqpërdorimet që bëhen gjatë tenderimit.

Për më shumë, Zeka shton se pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit, kompanive nga Bashkimi Evropian iu mundësohet trajtim i barabartë në të gjitha aktivitet e prokurimit publik në Kosovë.

Sipas tij, kjo nënkupton se keqpërdorimet e tilla të cilat bëhen gjatë tenderimit, nuk do të tolerohen nga kompanitë e huaja.

“Nëse në ta kaluarën kompanitë vendore nuk janë ankuar për parregullsi në aktivitetet e prokurimit publik kjo nuk do të jetë edhe me kompanitë e BE-së dhe presim që atëherë do të ketë presion më të madh edhe të vet kompanive të shteteve të BE-së, por edhe të zyrave apo institucioneve diplomatike të Bashkimit Evropian, të cilat do t’i mbrojnë interesat e tyre komerciale”, vlerëson Zeka.

Përshtatja e kritereve për një tender publik, dhe favorizimi i kompanive të caktuara është një fenomen i cili, sipas bizneseve, po ndodh në proceset e prokurimit në Kosovë.

Po ashtu, edhe në monitorimet mbi procesin e prokurimit publik në institucionet e Kosovës të bërë nga Transparency International Kosova, organizatë globale që vështron dhe avokon kundër korrupsionit, janë evidentuar shumë raste ku në tenderët publik është bërë përshtatja e kritereve.

Musa Bajraktari, hulumtues në këtë organizatë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga në të gjitha hulumtimet që kanë bërë janë evidentuar parregullsi të shumta të bërë në fushën e prokurimit.

“Në shumicën e rasteve janë tenderë të kurdisur të cilët janë të lidhur me njerëz nga politika, pra qëndron dikush nga politika mbrapa këtyre tenderëve publik, prapa këtyre tenderëve ka manipulime të ndryshme klanore e shumë parregullsi të tjera”, ka shtuar Bajraktari.

Ndryshe, rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës shpenzohen përmes prokurimit publik.

Autoritetet e Kosovës kanë deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Ligji i ri i Prokurimit Publik në Kosovë, i cili pritet të miratohet në Kuvend së shpejti, do të ketë rregulla të reja të prokurimit publik, në mënyrë që të parandalohen keqpërdorimet që kanë mundur të jenë bërë në fushën e prokurimit.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG