Ndërlidhjet

logo-print

Rrëzimi i avionit rus dhe pasojat

  • RFE /RL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se vendi i tij nuk do përshkallëzim të tensioneve me Rusinë.

Avionët turq kanë rrëzuar të martën një avion ushtarak të Rusisë, SU-24, për të cilin Ankaraja ka thënë se ka hyrë në hapësirën e saj ajrore, pranë kufirit me Sirinë.

Një pilot rus ka humbur jetën. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar incidentin si “goditje me thikë në shpinë”.

Radio Evropa e Lirë ka pyetur disa ekspertë dhe analistë ushtarakë për pasojat që mund t’i ketë kjo ngjarje.

Dmitry Gorenburg, nga Qendra Davis për Studime të Rusisë dhe Evropës, thotë se ky incident ka ndodhur në kohën kur është folur për një koalicion të gjerë kundër militantëve të Shtetit Islamik, sidomos pas sulmeve në Paris dhe pas rrëzimit të një avioni komercial rus në Egjipt.

“Është supozuar se të gjitha vendet do të nisin të punojnë së bashku, por është goxha e qartë tani se interesat e ndryshëm të vendeve të përfshira e bëjnë shumë të vështirë këtë propozim”, thotë Gorenburg.

Rusia, qysh më 30 shtator, ka nisur sulmet ajrore në Siri, në mbështetje të forcave të presidentit Bashar al-Assad, të cilat luftojnë me grupe të ndryshme rebele dhe militante. Rusia është aleate e fuqishme e Assadit, për dallim nga Turqia dhe vendet perëndimore që duan largimin e tij nga pushteti.

Turqisë nuk i kanë pëlqyer kurrë përpjekjet e Rusisë në Siri… Turqia i ka paralajmëruar rusët se nuk do të lejojë inkursionet në hapësirën e saj ajrore. Dhe, në një pikë, Erdogan ka vendosur të thotë: ‘ne duhet të dërgojmë mesazh se jemi seriozë në mbrojtjen e inetersave tanë”, thotë Alexander Clarkson, ligjërues në Kolegjin Mbretëror të Londrës.

Mark Galeotti, profesor në Qendrën për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se bota nuk po shkon drejt Luftës së Tretë, por Kyle Frese, ekspert për ushtrinë ruse, me seli në Uashington, thotë se ka implikme të mëdha, nëse situata nuk trajtohet siç duhet.

“Turqia dhe Rusia, në fakt, janë afruar shumë me njëra-tjetrën gjatë krizës në Ukrainë, pasi Turqia është bërë treg i madh për gazin rus. Mendoj se Rusia tani furnizon Turqinë me 60 përqind të gazit natyror... Jam i befasuar vërtet se si Rusia dhe Turqia nuk kanë punuar për një marrëveshje për hapësirën ajrore”, thotë Frese.

“Nëse turqit nuk kërkojnë falje, mund të shohim përshkallëzim të luftës midis Turqisë dhe Rusisë, në njëfarë mënyrë. Mund të shohim mbështetje shtesë nga Rusia për lëvizjet ekstremiste kurde, çfarë është teknikë klasike e Rusisë për të mbështetur armikun më të keq të kundërshtarit”, paralajmëron Mark Galeotti, profesor në Qendrën për Çështje Globale në Universitetin e Nju Jorkut. (v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG