Ndërlidhjet

Pushteti e opozita, pa gatishmëri për propozim-marrëveshjet


Kuvendi i Kosovës në seancën e 8 tetorit 2015...

Kuvendi i Kosovës në seancën e 8 tetorit 2015...

Partitë politike nuk kanë treguar vullnet që të ulen dhe diskutojnë për tejkalimin e gjendjes së krijuar në Kosovë, mbi bazën e një projekt-marrëveshjeje të prezantuar nga deputetët Vjosa Osmani e Ilir Deda.

Ky projekt i deputetëve Osmani e Deda, synonte që t'i ulte partitë në pushtet dhe opozitën në një tavoline, ku do të diskutonin mbi bazën e një projekt-marrëveshjeje, e cila parashihte zgjidhje për mospajtimet e krijuara.

Bëhet fjalë për zgjidhjen e propozuar mbi marrëveshjen që Qeveria e Kosovës ka arritur me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin, të cilat opozita i konsideron tërësisht të papranueshme.

Deputeti Ilir Deda, i cili i takon Lëvizjes Vetëvendosje, por që nuk i ka mbështetur veprimet e këtij subjekti politik në Kuvend, siç ishin hedhja e gazit lotsjellës dhe protestat e dhunshme, thotë për Radion Evropa e Lirë se partitë politike janë të njoftuara me projektin, por nuk kanë dhënë sinjale gatishmërie që ta diskutojnë atë së bashku.

"Në takimet, të cilat ne i kemi zhvilluar, asnjë nga aktorët politikë nuk i ka hedhur poshtë idetë e marrëveshjes apo nuk na është thënë që këto janë të papranueshme, megjithatë përmes prononcimeve publike janë dhënë mesazhe tjera. Unë vetëm mund të konkludoj se edhe ashtu një ditë kjo krizë politike do të përfundojë me dialog ndërmjet Qeverisë dhe opozitës dhe me marrëveshjes ndërmjet tyre", thotë Deda.

Gjatë prezantimit të projektit, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka kohë që prezanton qëndrime tjera krahasuar me politikat që zbaton lideri i LDK-së dhe kryeministri Isa Mustafa, pati thënë se ideja është që palët të gjejnë zgjidhje kushtetuese, e cila do të votohej në Kuvend në formën e rezolutës.

Për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, lënda është në Gjykatë Kushtetuese me kërkesën e parashtruar nga presidentja Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar interpretimin e parimeve të marrëveshjes, për të vërtetuar nëse janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Sipas idesë së deputetëve Osmani e Deda, kjo Gjykatë fillimisht duhet të plotësohet me dy gjyqtarë vendorë dhe më pas të marrë vendim. Madje, parashihet që nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk sjell ndonjë zgjidhje, atëherë çështja t'i kalohet edhe Komisionit të Venedikut.

Kurse, për demarkacionin me Malin e Zi parashihej formimi i një komisioni të ri vlerësues, duke i dhënë opozitës një rol shumë më të fuqishëm.

Deputetja Vjosa Osmani thotë se propozim- marrëveshja është e hapur të negociohet.

"Ky është një propozim që mund të shërbejë si pikënisje me shpresën se do t'i bashkonte liderët politikë, madje jo vetëm ata shqiptare, por edhe të pakicave nëse kanë interesim që të bashkohen, të diskutohet rreth përmbajtjes së marrëveshjes, e cila mund të ndryshohet, negociohet, shtohet, sepse këto pika janë shumë të thjeshta ", deklaron Osmani.

Propozimi i deputetëve Osmani e Deda, sipas analistit të Institutit Demokratik të Kosovës, Albert Krasniqi, mund të jetë bazë për diskutim, por ka nevojë për plotësime.

Po ashtu, Krasniqi thotë se një ide e tillë, kërkon edhe një ndërmjetësues, i cili do t'i ulte partitë në pushtet dhe opozitën në tavolinën e negociatave.

Megjithatë, edhe Krasniqi nuk sheh tash për tash ndonjë interesim dhe gatishmëri nga subjektet politike për këtë dialog.

"Po duket që ka qëllime dhe interesa të ndryshme, qoftë brenda partive në pushtet ashtu edhe atyre në opozitë. E gjithë kjo krizëartificialisht e krijuar po tentohet të kapitalizohet për interesa të këtyre aktorëve politikë", thotëKrasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Një tentativë për t'i ulur palët në bisedime kishte iniciuar edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Megjithatë, ishte opozita ajo e cila nuk kishte shprehur interesim për një takim të përbashkët me partitë në pushtet.

Deputeti Ilir Deda, thotë se presidentja Jahjaga është e njoftuar edhe me nismën e tyre për një marrëveshje eventuale tashmë të propozuar.

"Presidentja është e informuar, por mendoj që roli i saj ka përfunduar me dërgimin e parimeve të Asociacionit të Komunave Serbe në Gjykatën Kushtetuese", thekson Deda.

Përveç deputetëve Osmani e Deda, me një propozim ka dalë tashmë edhe kryeministri Isa Mustafa.

Ai ka ftuar opozitën që të bashkëpunojnë në krijimin e një komisioni në lidhje me demarkacionin me Malin e Zi, kurse për Asociacionin e Komunave Serbe, ka preferuar që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Cilido që të jetë ky vendim, Mustafa është shprehur i gatshëm që ta pranojë dhe respektojë atë.

"Edhe opozita bën mirë që ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk është kompetencë e opozitës interpretimi i marrëveshjeve. Po ashtu, edhe marrëveshja për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi e ka rrugëzgjidhjen e vet”.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam kërkuar nga Bashkimi Evropian mbështetje për ekspertizë profesionale për procesin e shënimit të kufirit me Malin e Zi. Të njëjtën gjë do ta kërkoj edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që në prezencë të ekspertëve të Komisionit qeveritar dhe të ekspertëve nga opozita, të vlerësohet procedura e shënimit të kufirit”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Në anën tjetër, opozita ka vetëm një opsion - anulimin e marrëveshjes me Serbinë për Asociacionin dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin.

Driton Çaushi, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se nuk ka nevojë të krijohen komisione dhe se anulimi i marrëveshjeve nuk ka alternativë.

“Çfarëdo procesi tjetër, duhet të jetë i paraprirë nga anulimi i marrëveshjeve të Brukselit. Këta nuk kanë pasur mandat të marrin vendime të tilla dhe nuk ka kuptim që tani të punohet në komisione të ndryshme që përfshijnë edhe ekspertizën në raport me këto dy çështje, përderisa vendimet janë marrë. Pra, anulimi nuk ka alternativë, ndërkaq çdo gjë duhet të vihet në diskutim pas një akti të tillë”, thekson Çaushi.

Opozita ka bojkotuar dhe bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës për më gjatë se dy muaj, duke kërkuar që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të tërhiqen nga marrëveshjet me Serbinë, sidomos ajo për krijimin e Asociacionit dhe marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin.

Pa tërheqjen nga këto dy marrëveshje, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia Nisma për Kosovën, janë zotuar se nuk do të ndalen, qoftë përmes bllokimit të institucioneve apo edhe protestave në rrugë.

Për shkak të këtyre veprimeve dhe përfshirjes së deputetëve në aktivitete, që janë cilësuar të ndaluara, siç ishte përdorimi i gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit, aktualisht në paraburgim po mbahet deputetja e AAK-së, Donika Kadaj - Bujupi, kurse policia mbetet në kërkim të tre deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e Faton Topalli.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG