Ndërlidhjet

Toka bujqësore në Kosovë po degradohet


Kultivimi i lakrës nga një fermer në Kosovë...

Kultivimi i lakrës nga një fermer në Kosovë...

Nga degradimi i tokës bujqësore, përfaqësues të sindikatave të bujqve në Kosovë thonë se Kosova po vihet në një pozitë mjaft të vështirë sa i përket sektorit të bujqësisë.

Ata tregojnë se në vit, deri në 1 mijë hektarë tokë bujqësore shndërrohen në zona industriale, në banesa kolektive apo objekte afariste e komerciale.

Rajonet më të prekura nga ky fenomen, thuhet të jenë përgjatë rrugës Prishtinë - Shkup.

Kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve, Tahir Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, kritikon autoritetet e vendit se nuk janë duke ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie.

“Të gjithë kanë vërejtje, të gjithë konstatojnë se toka bujqësore po uzurpohet, po degradohet, por kjo po vazhdon. Kosova edhe ashtu nuk ka shumë tokë, dhe ne po mbesim pa atë pak tokë bujqësore që kemi. Në shumë prej këtyre tokave janë ndërtuar objekte të ndryshme. Edhe aty ku Ligji i mbron tokat bujqësore, ku është e ndaluar të ndërtohet rreptësisht, edhe aty është ndërtuar”, tregon Tahiri.

Kosova që nga viti 2005 ka në fuqi Ligjin për tokën bujqësore, i cili ka për qëllim krijimin e bazës ligjore për shfrytëzimin, mbrojtjen dhe rregullimin e tokës bujqësore.

Sipas këtij ligji, pronari apo shfrytëzuesi i tokës bujqësore është i detyruar që tokën bujqësore ta shfrytëzojë në mënyrën, e cila u përshtatet vetive natyrore të tokës, duke mos e zvogëluar vlerën e saj dhe duke përdorur masat agroteknike përkatëse.

Ky ligj parasheh edhe dënime për personat fizikë apo juridikë, të cilët ndërrojnë destinimin e tokës bujqësore apo e shfrytëzojnë për qëllime jobujqësore.

Dënimi, sipas ligjit, parasheh një shumë prej 1.000 euro deri në 10.000 euro.

I gjithë ky degradim që i është bërë tokës bujqësore, shton Tahiri, do ta sjell Kosovën në një situatë mjaft të vështirë.

“Kjo do të sjellë varfëri, kjo gjendje e tokës bujqësore në të ardhmen do të shtojë nevojën për importimin e të gjitha produkteve bujqësore, si: gruri, qumështi, misri. Përveç që nuk kemi kushte për t’i punuar këto toka, tash uzurpimi i tokave bujqësore do të ndikojë në zvogëlimin e sipërfaqes të tokës bujqësore, në rënien e kapaciteteve për prodhime bujqësore. Çdo ditë e më shumë po bëhemi të varur nga importi”, potencon Tahiri.

Ditë më parë Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të dhënat e regjistrimit të bujqësisë.

Sipas të dhënave të fundit të Regjistrimit të bujqësisë, tokë bujqësore llogariten të jenë 413, 635 hektarë apo 41.9 për qind e gjithsej sipërfaqes së tokës në Kosovë.

Prej gjithsej sipërfaqes së shfrytëzuar të tokës bujqësore, pjesa më e madhe i takon livadheve dhe kullotave, me 54.3 për qind.

Numri i përgjithshëm i personave të angazhuar në bujqësi në Kosovë është 362 700.

Në anën tjetër, ekspertë të politikave bujqësore në Kosovë, vazhdimisht kanë kërkuar të bëhet investim në sektorin e bujqësisë.

Halim Gjergjizi, profesor në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se bujqësia paraqet një ndër mundësitë kryesore të zhvillimit ekonomik, ngase janë resurset.

“Kosova, fatmirësisht, ka një traditë të gjatë në prodhimtari, ka një klimë mjaft të përshtatshme dhe janë disa parakushte shumë të mira dhe ka kërkesa të vazhdueshme për ushqim. Tregu kosovar është i pangopur me produkte bujqësore, ku edhe shumicën e produkteve bujqësore i importojmë”, shprehet Gjergjizi.

Ndryshe, në programin e Qeverisë së Kosovës, i është dhënë një rëndësi e veçantë zhvillimit të bujqësisë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG