Ndërlidhjet

Dhunë në Paris “kundër gjendjes së jashtëzakonshme”


Paris, 29 nëntor 2015.
Paris, 29 nëntor 2015.

Qindra-mijëra njerëz kanë marshuar të dielën në gjithë botën kundër ndryshimeve klimatike, por një protestë në Paris është përshkuar nga dhuna.

Policia atje ka përdorur gazin lotsjellës kundër një grupi të protestuesve të mbledhur në Sheshin e Republikës.

Korrespondentët thonë se grupi ka qenë duke protestuar kundër gjendjes së jashtëzakonshme në Francë.

Kjo gjendje, e cila ndalon tubimet publike, është shpallur pas sulmeve të 13 nëntorit në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 persona.

Shumica e personave të përfshirë në përleshje me policinë, kanë veshur maska ose i kanë pasur fytyrat e mbuluara.

Protesta kundër ndryshimeve klimatike ka pasur në Madrid, Berlin, Londër, Sidnej dhe qytete të tjera.

Shumë shtete të Paqësorit druajnë se ato mund të zhduken nga valët, për shkak të rritjes së nivelit të detit nga rritja e temperaturave globale.

Të hënën në Paris, nis një konferencë e madhe për klimën, e cila organizohet nga Kombet e Bashkuara dhe zgjat deri më 11 dhjetor.

Rreth 40,000 njerëz pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje. Në mesin e tyre do të jetë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Ata do të përpiqen të arrijnë marrëveshje afatgjate për të kufizuar emetimet e karbonit.

Autoritetet franceze kanë ndërmarrë masa të rrepta të sigurisë nga frika e sulmeve.

XS
SM
MD
LG