Ndërlidhjet

BE – Turqi: Marrëveshje për ndaljen e migrantëve


Donald Tusk (djathtas) dhe Ahmet Davutoglu në konferencën e përbashkët për shtyp mbrëmë në Bruksel

Donald Tusk (djathtas) dhe Ahmet Davutoglu në konferencën e përbashkët për shtyp mbrëmë në Bruksel

Turqia dhe Bashkimi Evropian janë pajtuar për marrëveshjen për ndaljen e migrantëve për të lëvizur kah Evropa.

Sipas marrëveshjes, Turqisë do t’i jepen 3 miliardë euro ndihmë për refugjatët sirianë, në mënyrë që Turqia t’i forcoj kufijtë e vet dhe t’i mbajë refugjatët në kampet në këtë vend.

Bashkimi Evropian, po ashtu, do t’i ripërtrijë bisedimet për pranimin e Turqisë në BE.

“Marrëveshja jonë paraqet plan të qartë për rikrijimin me kohë të rregullit në kufirin tonë të përbashkët”, tha presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, në konferencën për shtyp me kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutoglu, mbrëmë në Bruksel.

Zoti Tusk ka njoftuar se do të shtohet ndihma e BE-së “për refugjatët sirianë në Turqi, nëpërmjet kapacitetit të ri për migrantë prej tre miliardë eurove”.

Me këtë fond të Bashkimit Evropian synohet përmirësimi i kushteve të jetës për 2.2 milionë sirianë, që aktualisht jetojnë në kampet në Turqi, kështu që ata ndoshta nuk do të dëshirojnë ta vazhdojnë rrugën për në Evropë.

Për shkak të luftës në Siri, më se 900 mijë sirianë kanë hyrë në vendet e BE-së këtë vit, në atë që është vlerësuar si kriza më e keqe e refugjatëve në Evropë, prej Luftës së Dytë Botërore.

XS
SM
MD
LG