Ndërlidhjet

Bisedimet për klimën mund të jenë “pikë kthese”


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se konferenca për klimën në Paris mund të jetë “një pikë kthese” në përpjekjet globale për të kufizuar rritjen e temperaturave në të ardhmen.

“Kam ardhur këtu personalisht, si udhëheqës i ekonomisë më të madhe në botë dhe i emetuesit të dytë më të madh, për të thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo vetëm që e pranojnë rolin e tyre në krijimin e këtij problemi, por marrin përgjegjësinë për të bërë diçka në lidhje me këtë”, ka thënë Obama.

Përfaqësues të 195 vendeve janë mbledhur në Paris, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për reduktimin e emetimeve të karbonit dhe kufizimin e ngrohjes globale.

Konferenca, e organizuar nga Kombet e Bashkuara, do të zgjasë deri më 11 dhjetor.

Presidenti Obama ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara do të premtojnë fonde të reja për të ndihmuar vendet e cenueshme, që të trajtojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike.

Pjesa më e madhe e diskutimeve pritet të përqendrohen në një marrëveshje për të kufizuar ngrohjen globale në 2 gradë Celsius, deri në fund të shekullit.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka hapur samitin në Paris me thirrjen për një marrëveshje të fortë të klimës.

“Ju drejtohem sot në emër të së drejtës për klimë. Duhet të veprojmë dhe të pranojmë seriozitetin e kërcënimit ndaj ekuilibrit botëror. Ngrohja është shenjë e konflikteve të ardhshme… Disa vende mund të mos jenë në gjendje të përmbushin nevojat jetike të popullsisë së tyre. Ka rrezik për uri, eksod rural dhe konflikte për më shumë qasje në ujë”, ka thënë Hollande.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, ka thënë se bota duhet të veprojë shumë më shpejt për të arritur objektivin e kufizimit të ngrohjes globale.

“Mbi 150 liderë botërorë kanë ardhur në Paris dhe janë këtu për një qëllim. Nuk kemi pasur kurrë më parë një provë të tillë. Një moment politik si ky mund të mos vijë prapë. Ju keni fuqinë për të siguruar mirëqenien e këtij brezi dhe të brezave të ardhshëm”, ka thënë Ban.

Traktati i fundit global për klimën, i njohur si Protokolli i Kiotos, më 1997, ka kërkuar vetëm nga vendet e pasura që të reduktojnë emetimet. Por, disa nga emetuesit më të mëdhënj në botë nuk e kanë nënshkruar këtë dokument. Një samit për klimën në Kopenhagë, më 2009, ka dështuar.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se vendi i tij po bën hapa aktivë që synojnë zgjidhjen e problemit global të ndryshimit klimatik.

“Vlen të përmendet se kemi arritur të reduktojmë emetimet e gazit përmes modernizimit të ekomonisë dhe zbatimit të teknologjisë me energji të pastër dhe të kursimit. Në të njëjtën kohë, kemi arritur praktikisht të dyfishojmë bruto prodhimin e brendshëm të Rusisë. Pra, është absolutisht e mundur që t’i kushtojmë vëmendje zhvillimit, të arrijmë zhvillim, duke u kujdesur për mjedisin në të njëjtën kohë”, ka thënë Putin.

Konferenca në Paris është duke u zhvilluar nën masa të rrepta të sigurisë, nga frika e sulmeve terroriste.

Më 13 nëntor, militantët islamikë kanë sulmuar kryeqytetin e Francës, duke vrarë 130 persona.

Gjatë dy ditëve të fundit, në vende të ndryshme të botës ka pasur protesta kundër ndryshimeve klimatike. Protestuesit u kanë bërë thirrje udhëheqësve të tyre që të bëjnë zgjidhje. (v.tela)

XS
SM
MD
LG