Ndërlidhjet

Përjashtimi i opozitës dëmton legjitimitetin e Kuvendit


Seanca e 30 nëntorit.
Seanca e 30 nëntorit.

Ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, ditën e hënë, sërish kanë treguar se ka një tensionim të skajshëm të raporteve ndërmjet pushtetit dhe opozitës në atë shkallë që tashmë është vështirë të menaxhohet dhe të gjendet një zgjidhje për të dalë jashtë këtij konflikti, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Analisti i çështjeve politike, Fisnik Korenica nga Grupi për studime juridike dhe politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata në Kuvendin e Kosovës është vetëm një ripërsëritje e situatave të ngjashme, që kanë ndodhur muajt e fundit sa herë që është tentuar të mbahen seancat.

Sipas tij, pushteti dhe opozita duhet ta gjejnë një zgjidhje për t’i ulur tensionet.

Ndërkaq, propozimin që partitë në pushtet e kanë bërë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, për të përjashtuar në një afat të caktuar opozitën nga punimet e Kuvendit të Kosovës dhe vendimi i Kuvendit që ta suspendojë opozitën për seancën e ditës së hënë, sipas Korenicës, janë tërësisht të gabuar dhe Kuvendi në këtë pikë duhet të jetë shumë i kujdesshëm.

“Nëse Kuvendi i Kosovës vendos që ta përjashtojë opozitën, me çfarëdo formule procedurale, me një gjë të tillë, në fakt, e dëmton vet legjitimitetin e tij. Në anën tjetër, nëse nuk ka dialog prej të dyja palëve, ulje në një tryezë të përbashkët, gjithashtu ky do të jetë një reflektim që do ta dëmtojë dhe do të vazhdojë ta dëmtojë procesin".

"Çfarëdo qasje për ta thelluar mëtutje këtë krize, mendoj që nuk është një diskurs i pranueshëm politik. Përgjegjësia nuk është e njërës anë, por e të dyjave anëve, që ta mundësojnë funksionimin e një dialogu minimal, që do të sillte deri te gjetja e një zgjidhjeje për dalje nga kjo situatë”, tha Korenica.

Në anën tjetër edhe disa qytetarë të Prishtinës, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me ngjarjet në Kuvendin e Kosovës, bllokimin e punës normale të Kuvendit, por edhe tensionet ndërmjet pushtetit dhe opozitës.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:34 0:00

Faik Hoxha, thotë se ajo që po ndodhë në Kuvendin e Kosovës, nuk i pëlqen askujt.

“Këtë situatë me dy fjalë e kisha përshkruar: edhe shqetësuese edhe brengosëse. Askujt nuk i pëlqen kjo. Zgjidhjet ekzistojnë dhe besoj që do të gjendet një zgjidhje. Tash, çfarë zgjidhje do të jetë, ne po presim të gjithë. Populli po pret prej tyre për ta gjetur një zgjidhje”, tha Hoxha.

Izja Tasholli, po ashtu qytetarë nga Prishtina, vlerëson se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës dhe në raportet ndërmjet pushtetit dhe opozitës, është situatë e turpshme, për të cilën, sipas tij, më tepër ka përgjegjësi pushteti.

“Kjo është faqja e zezë. A ka më keq se faqja e zezë. Për mua, sa më funksion të lartë që të kesh, përgjegjësia është më e madhe. Unë i lë përgjegjës dhe fajtor pushtetmbajtësit. Çka të duan le të bëjnë, por nuk kanë qare pa bë zgjidhje. Qare nuk kanë pa u ulur dhe të bëjnë zgjidhjen”, theksoi Tasholli.

Megjithatë, analisti Korenica shpreh mendimin se aktualisht as pushteti e as opozita nuk kanë gatishmëri që të ulën në tryezë të përbashkët për ta gjetur formulën për dalje nga kriza. Sipas tij, formula është e mundur për tu gjetur, pavarësisht se ajo ka një kosto politike.

Formula e rishqyrtimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, është diskutabile, por sipas Korenicës, të dyja palët do të duhej të uleshin dhe të diskutonin mbi këtë formulë. Në të kundërtën, sipas tij, situata mund të përshkallëzoj edhe më tej.

“Mendoj që maksimumi i asaj që mund të ndodhë është që opozita të shkojnë në burg, një nga një, kurse pushteti të vazhdoj që e vetme ta mbajë Kuvendin. Por, ky nuk është një cak, të cilin do të duhej ta synonte askush, sepse është një skenar i rrezikshëm, që pastaj sjellë implikime afatgjata, të cilat është vështirë për t’i menaxhuar cilado parti politike".

"Unë, sot kam parë njëfarë insistimi të PDK-së që të mos lejojë në kryesi që të përshkallëzohet tutje kjo situatë, por që të ketë njëfarë kërkese për ta qetësuar, përkatësisht, për ta ftuar opozitën në dialog”, shtoi Korenica.

Korenica ka shtuar se tensionet ndërmjet pushtetit dhe opozitës tashmë kanë arritur një kulm që nuk është parë deri më tash.

XS
SM
MD
LG