Ndërlidhjet

Të mërkurën, vendimi i NATO-s për Malin e Zi


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Vendimi përfundimtar për ftesën e Malit të Zi në NATO do të merret të mërkurën, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Pres që ministrat e jashtëm (të NATO-s) të vendosin nëse do të ftojnë Malin e Zi për të nisur bisedimet e anëtarësimit me NATO-n. Mali i Zi ka bërë rrugë të gjatë për t’iu bashkuar familjes euro-atlantike, por duhet të bëhet ende. Ftesa për Malin e Zi do të ishte një vendim historik. Do të ishte sinjal i angazhimit tonë të vazhdueshëm me Ballkanin Perëndimor dhe i politikës së dyerve të hapura. Por, në këtë fazë, nuk mund të parashoh se çfarë do të vendosin ministrat”, ka thënë Stoltenberg.

Autoritetet malazeze kanë thënë se presin përgjigje pozitive nga NATO-ja.

Por, partitë pro-ruse në Mal të Zi po organizojnë protesta në rrugë, në përpjekje për të dëmtuar perspektivën e vendit.

Me javë të tëra, protestuesit pro-rusë, të udhëhequr nga partia e krahut të djathtë, NOVA, kanë dalë në rrugët e Podgoricës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, dhe zgjedhje të parakohshme.

Gjukanoviq, i cili refuzon të japë dorëheqje, ka akuzuar Rusinë dhe Serbinë për nxitje të trazirave në prag të samitit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel, më 1 dhe 2 dhjetor.

Gjukanoviq ka thënë se qëllimi i tyre është ta bëjnë Malin e Zi të duket i paqëndrueshëm.

XS
SM
MD
LG