Ndërlidhjet

Vazhdojnë tensionet Turqi-Rusi


Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia ka kërkuar nga Rusia që të sjellë prova për pohimet e saj se Ankaraja ka rrëzuar avionin ushtarak rus, në kufi me Sirinë, për të mbrojtur tregtinë e saj të naftës me grupin militant Shteti Islamik (IS).

“Nëse pretendoni diçka, duhet të sillni prova”, ka thënë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ai u është përgjigjur akuzave të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili po ashtu ka thënë se incidenti i javës së kaluar ka qenë “gabim i madh”.

Qeveria e Turqisë ka refuzuar të kërkojë falje për incidentin.

Një pilot rus është vrarë dhe një tjetër ka shpëtuar kur avioni rus Su-24 është rrëzuar nga avionët turq, më 24 nëntor.

Turqia thotë se avioni ka hyrë në hapësirën e saj ajrore, por ky pretendim hidhet poshtë nga Moska.

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se provat nga burime të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara tregojnë se avioni ka shkelur hapësirën ajrore turke.

Turqia ka mohuar çdo lidhje me militantët e Shtetit Islamik dhe është pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, i cili kryen sulme ajrore kundër grupit terrorist.

XS
SM
MD
LG