Ndërlidhjet

Pavarësia e mediave, temë e partive politike


Ilustrim
Ilustrim

Partitë politike në Maqedoni, kanë vazhuar me akuzat lidhur me debatin që po zhvillojnë për ndryshimet në ligjin për mediat.

VMRO DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, vlerëson se propozimet e LSDM-së që i japin kompetenca të shumta agjencisë së mediave përkatësisht drejtorit të saj që sipas propozimit duhet të zgjidhet nga radhët e opozitës, janë edhe një dëshmi se opozita synon partizimin e mediave dhe shkeljen e lirisë së shprehjes.

Nga VMRO-ja, madje e kanë quajtur edhe si “fashizëm“ propozimin që drejtori i agjencisë të ketë të drejtën që mediave t'i merr edhe liçencën e punës, apo që të propozojë gjoba për ndalimin e reklamimit për një muaj, në rast të shkeljes së zgjidhjeve ligjore.

Ilija Dimovski, anëtar i grupit të punës, thotë se VMRO-ja angazhohet për media të lira, të cilat duhet të respektojnë parimet bazë të etikës dhe informimit të drejtë dhe objektiv.

“Media të lira do të thotë respektimi i lirisë së shprehjes, gazetari profesionale, të pavaruar duke respektuar kodekset e etikës. Maqedonia si shtet kandidat i BE-së dhe nënshkruese e konventave të ndryshme ndërkombëtare e ka për obligim të respektoj lirinë e shprehjes. Sa i përket agjencisë së mediave, ne angazhohemi që ky organ të ketë për obligim të promovoj vlerat e vetrregullimit të mediave dhe asgjë më shumë“, ka deklaruar Dimovski.

Partia e tij ka dal edhe me propozimin që Kuvendi i Maqedonisë një herë në vit të debatojë për gjendjen në media dhe të miratojë konkluzione varësisht zhvillimeve në këtë sferë duke marrë parasysh të gjitha raportet e organizatave ndërkombëtare.

Por, nga opozita thonë se akuzat e pushtetit janë të pabaza pasi periudha e kaluar ka dëshmuar se kush ka ndërhyrë në pavarësinë e mediave. Nga LSDM-ja thonë se pikërisht këto presione kanë diktuar nevojën e ndryshimeve në ligjet aktuale.

“Ne vlerësojmë se Maqedonisë i nevojitet departizimi dhe demokratizimi i trupave rregullues të mediave, por edhe i atmosferës së mediave në përgjithësi. Gjithashtu konsiderojmë se duhet të sigurohen kushte elementare që më 24 prill të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike dhe për këtë qëllim nevojiten media të cilat do të informojnë në mënyrë profesionale, objektive dhe transparente".

"Propozimet e LSDM-së janë në përputhje të plotë me të gjitha rekomandimet e organizatave ndërkombëtare të cilët Maqedoninë e kanë poziocionuar si asnjëherë më parë në fund të listave sa i përket lirisë së shprehjes“, ka deklaruar Robert Popovski anëtar i grupit të punës nga Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë duke akuzuar partitë tjetër, VMRO-DPMNE për keq informimin e opinionit lidhur me qëndrimet e opozitës në bisedime apo se gjoja ajo ka dalë me propozime që ngufasin edhe më shumë lirinë e shprehjes në vend.

“Me qëllim që të dihet e vërteta, se kush për çka angazhohet, se kush është për demokratizimin e mediave, e kush për ruajtjen e gjendjes së tanishme, partizimin edhe më të madhe të medaive, do të kërkojmë që në bisedime të përfshihen edhe gazetarët apo shoqatat e mediave“, ka deklaruar Popovski duke iu përgjigjur kështu kërkesës së vazhdueshme të Shoqatës së Gazetarëve, por të organizatave tjera mediatike për pjesëmarrje në bisedimet për rregullimin e çështjes së mediave.

Duke komentuar politikat e këtilla, njohësit e çështjeve të medias thonë se partitë asnjëhrë nuk kanë mbajtur llogari për lirinë e shprehjes që dëshmohet edhe nga raportet e shumta ndërkombtare, por për interesat e tyre partiake.

Ligji për Mediat, apo agjencia e mediave, sipas komunikologut Sefer Tahiri duhet të jetë organ me njerëz jopartiak ndërsa përmbajta e ligjit të bazohet në standardet më të avancuara ndërkombëtare.

“Konsideroj se tani është momenti që kjo agjenci, apo ky trup vetrregullator të funksionoj si një organ i pavarur nga qendrat politike, sidomos nga pushteti. Zgjidhja që propozohet që kandidatët të zgjedhen me dy të treta e votave në Kuvend është një zgjidhje, por nuk është garancë se në këto pozicione do të vijnë njerëzit të cilat janë të meritur në baza profesionale. Në këtë rast do të arrihet një kompromis politik dhe kjo vlerësoj se nuk do të ishte zgjidhja më fatlume që agjencia e mediave të jetë organ profesional tërësisht i departizuar“, thotë Sefer Tahiri, ligjërues në Shkencat e Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndryshe, bisedimet për çështjen e mediave janë pjesë e dialogut mes partive për zgjidhjen e krizës politike, në veçanti pas publikimit të bisedimeve nga ajo që njihet si aferës e përgjimeve ku sipas opozitës, dëshmohet ndëryrja e pushtetit në pavarësinë e mediave përmes presioneve e kërcënimeve të ndryshme.

XS
SM
MD
LG