Ndërlidhjet

Analistët: Prapa krizës politike "fshihet" Gjykata Speciale


Prishtinë, pamje nga protestat e 18 nëntorit

Prishtinë, pamje nga protestat e 18 nëntorit

Kriza politike e krijuar në Kosovë edhe mund ta ketë në vete tendencën për shtyrjen e themelimit dhe funksionalizimit të Gjykatës së Veçantë për krime lufte, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Destabilizimi dhe imponimi si faktor politik, sipas analistëve, u shkon për shtati shumë figurave të fuqishme politike në pushtet dhe opozitë, të cilët mund të presin të jenë të shënjestëruar nga Gjykata për krime lufte.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, vlerëson se në prapavijë të krizës së krijuar, qëndrojnë figurat politike si nga partitë në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë, që kanë probleme me drejtësinë ndërkombëtare.

"Imponimi si faktor, qoftë si destabilizues në vend i disa prej figurave të cilët mund të kenë probleme me drejtësinë ndërkombëtare, definitivisht del të jetë në prapavijë të krejt kësaj që po ndodhë në Kosovë. Pra, neglizhimi, shtyrja e kësaj Gjykate deri në pafundësi, që të imponohen vetë si figura të domosdoshme për ta rikthyer paqen dhe stabilitetin në vend. Pra, synohet një negociim me drejtësinë ndërkombëtare", ka thënë Matoshi, për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkohë, edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, thotë se synimi i kësaj krize është shtyrja sa më gjatë e themelimit të Gjykatës së Veçantë për krime lufte, deri te imponimi i nevojës për zgjedhje të parakohshme.

"Nëpërmjet krizës politike, individë të caktuar brenda të dy krahëve politikë, po synojnë që të provokojnë situatë të atillë që Gjykata Speciale assesi të mos mund të themelohet dhe më tej të funksionalizohet. Mbase edhe ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të ndërrojnë pastaj edhe konstalacionet politike të koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në mënyrë që të krijohet një pozicion i fortë karshi Gjykatës Speciale", ka vlerësuar Mushkolaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Sipas analistit Imer Mushkolaj, praktika e deritashme ka dëshmuar që disa figura dhe subjekte politike në Kosovë, shpesh kanë prodhuar kriza dhe më pas janë imponuar për zgjidhjen e problemeve.

Por, kësaj radhe, thotë ai, do të varet shumë edhe nga qëndrimi që do të mbajnë qeveritë e vendeve më me ndikim ndaj këtyre tendencave.

"Varet shumë se sa të prerë do ta kenë qëndrimin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian karshi kësaj çështjeje. Unë besoj që Gjykata do të themelohet dhe nuk do të varet shumë nga qëndrimi i njërit apo krahut tjetër. Individë të cilët do të jenë në shënjestër të kësaj Gjykate do të procedohen dhe kjo vetëm mund të zgjasë, por assesi nuk mund të pengohet apo të zhbëhet", ka theksuar Mushkolaj.

Fakti që as pushteti, dhe as opozita, nuk po duan kurrfarë bisedimesh, sipas Halil Matoshit, tregon se asnjëra palë nuk është e përqendruar te Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe apo demarkacionin me Malin e Zi.

Opozita po kërkon shfuqizimin e këtyre marrëveshjeve, duke i cilësuar si të dëmshme për tërësinë territoriale të Kosovës.

Kauza e opozitës, sipas Matoshit, është e parealizueshme, kurse qëndrimi indiferent i pushtetit vetëm ndihmon në thellimin e tensioneve politike.

"Kjo Gjykatë është shpresa e fundit që drejtësia do të vendoset në këtë vend, sepse nëse i marrim dhe bëjmë paralele mes drejtësisë së UNMIK-ut apo EULEX-it, atëherë vaj halli për këtë vend dhe për shoqërinë kosovare", është shprehur Matoshi.

Kjo formë e krizës politike së krijuar, ka filluar që nga 25 gushti, kur kryeministri dhe qeveria e Kosovës arritën marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin.

Në kërkim të anulimit të tyre, opozita ka bllokuar në shumë raste punën e Kuvendit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe me protesta në rrugë. Si rezultat, deri më tash janë arrestuar pesë deputetë opozitarë, është vënë në funksion policia brenda Kuvendit, kurse Kryesia e këtij organi kishte shqiptuar masën e suspendimit të opozitës nga punimet e seancës së fundit, më 30 nëntor.

Marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi u arritën pasi që Kuvendi i Kosovës kishte miratuar amandamentin kushtetues me të cilin mundësohej themelimi i Gjykatës së veçantë për krime lufte, e cila do të udhëhiqet nga prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Kjo Gjykatë, është thënë se do të trajtojë dhe gjykojë krimet e supozuara të disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët bartin funksione me rëndësi qoftë brenda partive të caktuara politike apo institucioneve të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG