Ndërlidhjet

logo-print

Policia në Kosovë dhe në Itali, ka arrestuar 4 shqiptarë të Kosovës, nën dyshimet se kanë bërë përpjekje të rekrutojnë luftëtarë për të shkuar në Siri dhe Irak dhe se "kanë promovuar aktivitete terroriste” në mediat sociale.

Tre nga të dyshuarit janë arrestuar në Itali dhe një në Kosovë.

Policia e Kosovës tha se ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Komunës së Hanit të Elezit, ku është gjetur një pistoletë, një pushkë dhe disa pajisje elektronike.

Luan Keka, zëvendësdrejtor në Drejtorinë Kundër Terrorizimit në Policinë e Kosovës tha se arrestimi i personit në Kosovë erdhi pas hetimeve disa mujore dhe në bashkëpunim me autoritet policore italiane.

“Në fshatin Rezhancë të Hanit të Elezit, kemi shoqëruar një person, nën dyshimin se i njëjti është i involvuar në veprën penale të sanksionuar nga ligji i ri, për ndalimin e bashkimit në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit”, tha Keka.

Ai tha se personi i arrestuar ka udhëtuar disa herë jashtë Kosovës por, ende nuk dihet nwse qëndruar në Siri apo Irak.

“Detajet e hetimit do t’i paraqesim në vazhdim, pasi që jemi duke i ekzaminuar edhe materialet që i kemi konfiskuar në shtëpinë e të dyshuarit, si dhe materialet të cilat do të shkëmbehen edhe me autoritetet italiane, me të cilët e kemi bërë hetimin e përbashkët disa mujor. Në konsultim me prokurorin e rastit nga prokuroria, i dyshuari është dërguar në ndalim policor prej 48 orësh”, tha Keka.

Autoritetet italiane ndërkaq, kanë thënë se të 4 personat kanë qenë shumë aktivë në internet, “duke promovuar kauzë pro-xhihadiste, por nuk duket se kanë qenë të përfshirë në ndonjë komplot specifik”.

“Ata kanë kërcënuar Papën, kanë festuar për sulmet e fundit në Paris dhe kanë kërcënuar ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, ka thënë Carmine Esposito, shef i policisë në qytetin verior të Italisë, Brescia, ku edhe janë zhvilluar hetimet.

Policia italiane ka njoftuar se prej tre shtetasve të Kosovës, të arrestuar në Itali, njëri mbetet në paraburgim, ndërsa dy të tjerët janë dëbuar në harmoni me masat antiterror, njofton agjencia e lajmeve Associated Press, ndonëse nuk është e qartë se për ku janë dëbuar dy nga të arrestuarit.

Polica e Kosovës konsideron e bashkëpunimi ndërkombëtar është i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit dhe çelësi i suksesit në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm .

Skënder Perteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tha për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës po ndërmerr veprimet e duhura ndaj kësaj dukurie, por sipas tij mos anëtarësimi i Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë të sigurisë po e pengon në këtë drejtim.

“Policia e Kosovës në ketë drejtim po dëmtohet shumë, sepse nuk është partnere e barabartë me të gjitha policitë e tjera të Evropës, kështu që nuk ka qasje në të dhëna ndërkombëtare dhe varet shumë nga ata a duan apo jo të bashkëpunojnë me Kosovën”, tha Perteshi.

Ai konsideron se Kosova aktualisht më shumë konsiderohet si një vatër për rekrutimin e personave për të shkuar në Siri e Irak sesa për të pasur sulme terroriste.

“Kërcënimi i dhunshëm dhe radikalizmi në Kosovë është në nivel mesatar ende. Rajoni i Ballkanit në përgjithësi shihet si një vend për rekrutim, qoftë edhe për përgatitje, si një vend transit për të ndërmarrë sulme në Evropë”, tha Perteshi

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG