Ndërlidhjet

Shkalla e lartë e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë dhe problemet në zhvillimin ekonomik, kanë bërë që dërgesat e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, të jenë burim kryesor i të ardhurave në Kosovë.

Edhe pse viteve të fundit ka pasur një rënie të këtyre dërgesave, gjatë këtij viti vërehet një rritje e tyre. Ekspertët e ekonomisë pohojnë se arsye e rritjes së remitencave, është përkeqësimi i situatës ekonomike të familjeve në nevojë.

Shqetësuese sipas tyre, mbetet fakti se remitencat në Kosovë po shfrytëzohen për konsum të përgjithshëm të mallrave dhe jo për ndonjë investim kapital që do të ndikonte në zbutjen e papunësisë, rrjedhimisht varfërisë.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nga dërgesat, varfëria nuk luftohet në afat të gjatë, investimet, sipas tij, mund të ndikojnë në përmirësimin e përgjithshëm ekonomik.

“Remitencat të cilat përdoren për konsum janë të ngjashme si skemat sociale. Me skema sociale asnjë vend në botë nuk e ka luftuar varfërinë. Mendimi im është që këto dërgesa që po dërgohen drejtëpërdrejtë tek familjet kosovare, po ndikojnë në luftimin e varfërisë në një afat më të shkurtë, mirëpo perspektiva në afat më të gjatë nuk ekziston”, tha Gashi.

Vlera e gjithsej remitencave të pranuara në vend deri në qershor të vitit 2015, ka arritur në 337.2 milionë euro.

Deri në 600 milionë euro është shuma e dërgesave që për çdo vit arrijnë në Kosovë nga qytetarët që kanë emigruar në vende të ndryshme të botës.

Edhe Ismail Kastrati, ish-kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, vlerëson se remitencat mund të përmirësojnë gjendjen sociale të familjeve, për një periudhë të shkurtër.

Megjithatë, ai pohon se pa dërgesat e diasporës, mirëqenia sociale e qytetarëve do të ishte edhe më e rëndë.

“Gjendjen sociale në periudhë afatgjatë nuk mund ta zbusin, por aktualisht e zbusin shumë. Mbi 20 për qind e konsumit të përgjithshëm në Kosovë sigurohet nga remitencat. Por, në periudhë afatgjate nuk ka ndonjë përfitim, pasi shumëkush mbështetet në këto remitenca dhe nuk ka aktivitet ekonomik brenda".

"Prandaj, orientimi i dërgesave në investime, në zhvillim do të ishte shumë i logjikshëm pasi do të mundësonte zbutjen në aspektin social për një periudhë të gjatë, konkretisht zvogëlimin e shkallës së papunësisë dhe varfërisë”, ka thënë Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Remitencat, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave, nëse iu ndërrohet orientimi mund të ndikojnë në zhvillimin ekonomik, me hapjen e ndonjë biznesi, thotë Naim Gashi.

“Jam ithtar i asaj që gjithmonë të pretendohet që ngadalë remitencat të zëvendësohen në vend të dërgesave të drejtëpërdrejta për familjet kosovare, në investime në ndërmarrje të vogla dhe të mesme".

Përmes kësaj mënyre, ata krijojnë vende pune për familjet e tyre që jetojnë në Kosovë dhe njëkohësisht gjenerojnë një shumë të vogël të te ardhurave për investimet e tyre”, pohon Gashi.

Që nga viti 2004 e deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar, shuma e dërgesave nga emigrantët, ka arritur mbi gjashtë miliardë euro.

Sipas të dhënave zyrtare, janë mbi 22 për qind e familjeve që pranojnë remitenca nga rreth 300 euro në muaj.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG