Ndërlidhjet

logo-print

SHBA, BE dhe Rusi: Për terrorizmin, zgjidhje ndërkombëtare

  • RFE /RL

Sergei Lavrov dhe John Kerry

Sergei Lavrov dhe John Kerry

Shefat e diplomacisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, John Kerry dhe Federica Mogherini, kanë bërë thirrje për një luftë të përbashkët kundër terrorizmit dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Siri.

Thirrjet e tilla, Kerry dhe Mogherini i kanë bërë gjatë konferencës së 22-të të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), e cila po mbahet në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd.

Shefja e diplomacisë së BE-së, Mogherini, ka theksuar se për terrorizmin është e mundur vetëm zgjidhja ndërkombëtare, duke shtuar se kërcënimi nga ‘Shteti Islamik’ mund të largohet vetëm me vendosjen e paqes në Siri, për të cilën gjë është thelbësor dialogu në Vjenë. Gjithashtu, ajo ka theksuar se edhe takimi në Beograd, është rast që të shënohet përparim lidhur me këtë çështje.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ka paralajmëruar se për një luftë të suksesshme kundër “Shtetit Islamik”, janë të nevojshme trupat siriane ose arabe në terren, sepse militantët nuk mund të munden vetëm me sulme ajrore.

Ai ka përshëndetur edhe aleatët evropian për hapat drejt unitetit dhe koalicionit kundër terrorizmit në Siri.

“E përshëndesim vendimin e parlamentit britanik që t’i bashkohet koalicionit kundër terrorizmit në Siri, ashtu sikurse edhe paralajmërimet e Gjermanisë. Këta dy hapa tregojnë unitetin dhe vendosmërinë e bashkësisë. Por, pa një zgjidhje në vet terrenin, e kemi të qartë se kjo betejë nuk mund të fitohet vetëm nga ajri".

"Pjesë e strategjisë, që po përpiqemi ta zbatojmë në procesin e Vjenës, është ajo që ta bëjmë tranzicionin politik. Nëse e bëjmë këtë, ua japim rastin palëve që të ofrohen. Me këtë, kryesisht mendoj për ushtrinë siriane dhe opozitën”, ka theksuar Kerry.

Këtë deklaratë, sekretari amerikan i shtetit e ka bërë në prag të të bisedimeve dypalëshe, me shefin e diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, bisedime këto që u mbajtën në kuadër të samitit në Beograd dhe që nga shumëkush është cilësuar si takimi kryesor në këtë samit.

Lavrov ika shprehur ka shprehur ngushëllime sekretarit amerikan të shtetit për vrasjen e 14 personave gjatë shkëmbimit të zjarit në Kaliforni dhe ka bërë thirrje për bashkim në luftë kundër terrorizmit.

“Ky sot është prioriteti kryesor dhe gjithçka tjetër duhet të jetë në varësi të kësaj. Kjo është sikur lufta e dikurshme kundër nazistëve. Nuk do të lejojmë që terroristët të përfitojnë nga tregtia jolegale me gjëra të ndryshme, por nuk do të jemi të suksesshëm në qoftë se të tjerët na i vënë pykat nën këmbë, ashtu siç ka ndodhur në sulmin ajror në Siri”, ka theksuar Lavrov.

Sekretari amerikan i shtetit Kerry, ka falënderuar Lavrovin për siç ka thënë “ndjeshmërinë ndaj viktimave të shkëmbimit të zjarrit në Kaliforni “, duke theksuar se shumica e vendeve që sot janë pjesëmarrëse në samitin e Beogradit, “viteve të fundit i janë nënshtruar incidenteve të tilla”.

Ai dhe shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Mogherini, i kanë bërë thirrje Rusisë që të bashkëpunoj me Ukrainën dhe të sigurojë zbatimin e marrëveshjes të Minsk-ut.

Mogherini ka thënë se në Krime po shkelen të drejtat e njeriut.

“Edhe më tej po ballafaqohemi me ndasi serioze ndërmjet nesh. Aneksiimi i paligjshëm i Krimesë dhe destabilizimi i Ukrainës lindore edhe më tej i rrezikojnë principet themelore të funksionimit të OSBE-së. Është e dukshme shkelja e vazhdueshme e të drejtave të njeriut të popullatës, të cilën po e bëjnë autoritetet e atjeshme faktike".

"Armëpushimi në Ukrainën lindore po respektohet formalisht dhe dhuna është zvogëluar në vitin e fundit. Por, forcat e huaja ende nuk janë përjashtuar, ndërkaq seperatistët edhe më tej po e kontrollojnë rripin kufitar”, ka theksuar Mogherini.

Në anën tjetër, në hapje të samitit në Beograd, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka ftuar Këshillin ministror të OSBE-së që të sjellë përfundimet dhe rekomandimet e përbashkëta për zgjidhjen e çështjes së migrantëve dhe ka porositur se Ballkani ende mbetet një fuqi baroti, të cilës i nevojitet një shkëndijë që të eksplodojë sërish.

“Më duhet ta theksoj drojën personale dhe frikën e sinqertë nga mundësitë e përmbysjes së stabilitetit në Ballkan. Serbia është një vend i fortë dhe i qëndrueshëm, por janë të mjaftueshme disa situata të krizave në rajon, në Maqedoni, Mal të Zi dhe Prishtinë, që ta ndezin përsëri të gjithë rajonin”, ka theksuar Vuçiq.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG