Ndërlidhjet

Cameron: Operacioni në Siri kërkon durim


Kryeministri britanik, David Cameron.

Kryeministri britanik, David Cameron.

Sulmet ajrore kundër militantëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS) mund të marrin “disa kohë” dhe kërkojnë këmbëngulje, ka thënë kryeministri britanik, David Cameron.

Avionët e Britanisë kanë kryer sot sulmet e para ajrore kundër IS-it në Siri, një ditë pas miratimit të tyre nga ligjvënësit britanikë.

“Operacioni në Siri do të kërkojë durim. Është komplekse dhe e vështirë ajo çfarë kërkojmë nga pilotët tanë. Mendimet tona duhet të jenë me ta dhe familjet e tyre në këtë punë të rëndësishme”, ka thënë Cameron.

“Ka pasur një arsye bindëse për të zgjeruar sulmet tona nga Iraku në Siri. Jam i lumtur për mbështetjen e fuqishme në Parlament”, ka shtuar ai.

Ligjvënësit britanikë kanë mbështetur aksionin ushtarak kundër Shtetit Islamik në Siri me 397 vota për dhe 223 kundër, pas një debati prej 10 orësh.

Cameron ka bërë kërkesën për ndërhyrje ushtarake pas sulmeve terroriste në Paris.

Më 13 nëntor, ekstremistët islamikë kanë vrarë 130 veta në kryeqytetin e Francës.

Përgjegjësinë për këto sulme e kanë marrë militantët e Shtetit Islamik.

Këtë javë, edhe kabineti i Gjermanisë ka miratuar planet për t’iu bashkuar koalicionit ndërkombëtar që lufton IS-in në Siri.

XS
SM
MD
LG