Ndërlidhjet

logo-print

Rusia zgjeron bazën e dytë ajrore në Siri


Ilustrim

Ilustrim

Rusia është duke zgjeruar bazën e saj ajrore në provincën Homs të Sirisë, për të akomoduar aeroplanët e saj luftarakë, ka bërë të ditur Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut.

Grupi monitorues, me seli në Londër, ka thënë se rusët janë duke shtuar disa fortifikime dhe pista në bazën ajrore Shajrat, e cila ndohet rreth 40 kilometra në juglindje të qytetit Homs.

Puna në zhvillim e sipër mund të sinjalizojë synimet e Moskës për të intensifikuar sulmet ajrore kundër grupit militant Shteti Islamik.

Rusia është duke kryer sulme ajrore në Siri qysh më 30 shtator, duke përdorur bazën ajrore të presidentit sirian, Bashar al-Assad, në provincën Latakia.

Bombarduesit Su-24 dhe helikopterët nisen çdo ditë nga kjo bazë.

Perëndimi dyshon se Rusia nuk bombardon vetëm caqet e militantëve të Shtetit Islamik, por të të gjitha forcave rebele që kundërshtojnë regjimin e Assadit.

Turqia dhe Perëndimi duan që Assadi të largohet nga pushteti, por Rusia këmbëngul se për fatin e tij duhet të vendosë vetë populli sirian.

Lufta në Siri ka nisur në mars të vitit 2011. Mbi 250,000 njerëz kanë humbur jetën, ndërsa miliona të tjerë janë zhvendosur.

XS
SM
MD
LG