Ndërlidhjet

Mustafa fton opozitën në takim më 7 dhjetor


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ftuar në takim më 7 dhjetor liderët e tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës: Visar Ymerin nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limajn nga Nisma për Kosovën, si dhe zëvendëskryeministrin e parë, Hashim Thaçi.

Në një konferencë për gazetarë, Mustafa ka thënë se këtë ftesë e ka bërë në vazhdën e ftesave dhe gatishmërisë së vazhdueshme për dialog me të gjithë faktorët politikë në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Opozita kundërshton fuqishëm marrevshjen që ka nënshkruar Kosova me Serbinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Sipas opozitës, marrëveshja e parë çon në ndarje të Kosovës, ndërsa e dyta bën që një pjesë e territorit të Kosovës, pa të drejtë, t'i takojë Malit të Zi.

Për rrjedhojë, opozita, tash e disa muaj, është duke penguar punën e Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesit opozitarë kanë organizuar edhe protesta në rrugë, ndërsa një të tillë e kanë paralajmëruar edhe për të shtunën në Gjakovë.

Klikoni edhe këtu: “Kalendar” i gazit lotsjellës në Kuvend

XS
SM
MD
LG