Ndërlidhjet

Pritja prej heroi për një të dënuar për krime lufte


Kthimi i ish gjeneralit serb Vladimir Llazareviq në Nish.

Kthimi i ish gjeneralit serb Vladimir Llazareviq në Nish.

Pasi ka vuajtur dy të tretat e dënimit prej 14 vjetësh për krime lufte kundër shqiptarëve të Kosovës, i dënuari nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës, ish gjenerali Vlladimir Llazareviq, është pritur në qytetin e Nishit në Serbi, me ceremoni shtetërore.

Para të tubuarve ai ka thënë se ai është dënuar “pa asnjë provë materiale”.

“Jam dënuar vetëm se gjoja kam ndihmuar tre të dyshuarit tjerë nga lënda ime, në dëbimin e banorëve shqiptarë, me faktin se kam qenë komandant i korpusit të Prishtinës [në ish Armatën Jugosllave] dhe atë pa asnjë provë materiale, pa asnjë provë të dyshimit të bazuar”, ka thënë Llazareviq.

Në tetor të vitit 2003, Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në teritorin e ish- Jugosllavisë, kishte bërë publike një aktakuzë kundër eprorëve më të lartë serbë, për krimet e bëra kundër popullatës shqiptare në Kosovë në vitin 1999.

Në këtë aktakuzë ishin përfshirë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, shefi i Policisë Serbe për Kosovën, Sreten Llukiq, dhe ndihmësi i ministrit të Brendshëm serb, Vllastimir Gjorgjeviq.

Rasti i tyre ka qenë i ndërlidhur me aktakuzën kundër ish presidentit të Serbisë, Millan Millutinoviq, ish shefit e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, dhe nënkryetarin e qeverisë së dikurshme jugosllave, Nikolla Shahinoviq.

Millutinoviq është shpallur i i pafajshëm, Ojdaniq dhe Shahinoviq janë liruar pasi kanë vuajtur 2/3 e dënimit të shqiptuar.

Llazareviq është dënuar me 14 vjet burgim. Deri më tash ka vuajtur 10 vjet nga dënimi i shqiptuar dhe me vendim të Tribunalit, më 3 dhjetor 2015 kthehet në Serbi, për shkak të një sëmundjeje nga e cila vuan.

Në aeroportin e Nishit ai është pritur nga zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ushtarakë të Serbisë dhe disa qindra qytetarë.

Shkrimtari Vladimir Arsenijeviq, i cili punon në vendosjen e urave të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve në Kosovë dhe serbëve në Serbi në fushën e kulturës, kritikon ashpër pritjen prej heroi që i është bërë ish gjeneralit të dënuar serb…

“Mendoj se elita jonë e përgjithshme politike, anon në fakt drejt një lloji fashizmi mendjengushtë, të përzier me një militarizëm ekstrem, nga i cili thjesht nuk din, ose në fund të fundit, edhe nuk do të dalë nga ajo formë e të menduarit. Për fat të keq, Serbia në gjithë këtë nuk është rast i vetëm. Një situatë të ngjashme kemi parë të ketë ndodhur edhe në vendet tjera të rajonit, të cilat kanë pasur të dënuar në Hagë”, ka thënë Arsenijeviq.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj tha për Radion Evropa e Lirë se lirimi nga burgu i ish- komandanti të Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës është fyerje ndaj viktimave, dhe shkelje e identitetit të tyre.

Zoti Blakaj thekson po ashtu se fyerjen e bën edhe më të rëndë fakti se Llazareviqin e kanë pritur edhe zyrtarë të lartë të shtetit serb.

“Llazareviqi u ka ofruar mbështetje, i ka motivuar oficeret e lartë për kryerjen e krimeve në Kosovë. Prandaj është dënuar vetëm për dy pikat e para të aktakuzës, respektivisht për dëbimin e popullatës civile dhe për veprimet e tjera çnjerëzore, duke përfshirë edhe zhvendosjen e dhunshme”, tha Blakaj.

Mbi 800, 000 shqiptarë nga Kosova vlerësohet të jenë dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre në kohën e fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Në mesin e tyre, ishte edhe Sylejman Hajdini, qytetar nga Prishtina, i cili në vitin 1999, bashkë me familjen e tij [pesë anëtarëshe], është dëbuar dhunshëm nga banesa e tij në lagjen Bregu i Diellit, me urdhër të policisë dhe ushtrisë serbe.

“Ne kemi qenë në bllokun e katërt, më 3 prill 1999 na kanë larguar. Kanë ardhur ushtria dhe policia bashkë, na kanë thënë për 15 minuta duhet të dilni nga banesa. Ne i kemi pyetur ku të shkojmë, ata kanë thënë shkoni ku të doni, por duhet të largoheni. Kemi dalë dhe na kanë drejtuar me përcjellje deri në stacion të trenit”.

“Nuk na kanë lejuar t’i marrim veturat, e as t’i mbyllim banesat, hapur i kemi lënë. Gjatë rrugës ai që nuk ka mundur të ecë nga lodhja, është rrahur. Ai që ka dalë nga rreshti dhe ka dashur të skajohet, po ashtu është rrahur dhe është maltretuar. Kolonë kemi qenë dhe jemi përcjellë nga policia dhe ushtria deri në stacionin e trenit. Aty kemi parë numër shumë të madh qytetarësh të dëbuar nga shtëpitë e tyre”, ka shpjeguar Hajdini për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, nga e gjithë lënda dhe gjashtë të dënuarit, në burg vazhdojnë të mbeten Pavkoviq, Llukiq dhe Gjorgjeviq.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG