Ndërlidhjet

Jahjaga: Nuk do lejojmë që dhuna ta zëvendësoj dialogun


Atifete Jahjaga

Atifete Jahjaga

Kosova nuk mund të lejoj që dhuna ta zëvendësoj dialogun për zgjidhjen e problemeve politike, ka deklaruar presidentja Atifete Jahjaga. Këto komente, Jahjaga i ka bërë gjatë fjalimit në Konferencën e Pestë Vjetore të Gjyqësorit në Kosovë.

"Ne nuk mund të lejojmë që dialogu të zëvendësohet me dhunën dhe as me refuzim institucional; nuk mund të lejojmë që të imponohen zgjidhje jashtinstitucionale, sepse institucionet e shtetit të Kosovës janë mundi dhe sakrifica e gjeneratave të tëra", ka thënë Jahjaga, duke iu referuar zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, që u përcollën me bllokadë në punën e Kuvendit dhe protestave të dhunshme në rrugë.

"Nuk mund të lejojmë që demokracinë ta sfidojmë çdo ditë, sepse atë po e ndërtojmë me shumë punë dhe me shumë mund. Prandaj dialogu i sinqertë dhe i hapur, duhet të vendoset në vend, përpara se mirëqenia e qytetarëve të rrezikohet, përpara se e ardhmja e tyre të vihet në rrezik", është shprehur presidentja.

Në fjalimin e saj, Jahjaga ka folur edhe në lidhje me luftimin e ekstremizmit të dhunshëm fetar dhe terrorizmit.

"Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë asnjëherë vatër e ekstremizmit dhe nuk do të lejojmë asnjëherë që këto elemente të prishin harmoninë fetare dhe të rrezikojnë sistemin tonë kushtetues", ka deklaruar Jahjaga.

Ajo i ka ftuar organet e ndjekjes penale që të kryejnë punën e tyre edhe në luftimin e dukurive të tjera negative që po e sfidojnë shtetin e Kosovës.

"Kemi përgjegjësi të përbashkët, por edhe privilegj, që të tregojmë patriotizmin tonë, duke zbatuar ligjin, duke qenë të pakompromis në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe duke ndërtuar shtetin e së drejtës, atë shtet për të cilin të gjithë ne jemi betuar", ka deklaruar Jahjaga.

XS
SM
MD
LG