Ndërlidhjet

Opozita manifestoi kundër marrëveshjeve në Gjakovë


Protesta në Gjakovë

Protesta në Gjakovë

Me moton Gjakova manifeston për Republikën, partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma kanë mbajtur të shtunën një tubimi në sheshin "Nënë Tereza".

Tubimi ishte thirrur për të kundërshtuar marrëveshjen që qeveria e Kosovës ka nënshkruar me Beogradin për krijimin e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin.

Fillimisht qytetarëve u janë drejtuar deputetë dhe zyrtarë të këtyre subjekteve politike që vijnë nga Gjakova. Kurse masës së tubuar i janë drejtuar edhe liderët e partive opozitare.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë para qytetarëve të tubuar në sheshin "Nëna Terezë" se masat e fundit policore dhe burgosjet e deputetëve ishin ndërmarrë që ta heshtin opozitën. Por, sipas tij, kjo do të jetë e pamundshme.

"Opozita e bashkuar e ka bërë të qartë se Republika nuk e pranon dhe as nuk e duron ‘Zajednicën’ e Serbisë, e Kosova as nuk e pranon dhe as nuk e duron faljen e tokës së saj Malit të Zi. Andaj, protestojmë dhe do të protestojmë", është shprehur Ymeri.

Përderisa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ky manifestim ka si qëllim kundërshtimin e marrëveshjeve të dëmshme për vendin.

Ndërkaq nisja e tyre nga Gjakova, sipas tij, ka simbolikën e vet, ngase nga ky shesh kishin filluar edhe protestat për rrëzimin e ish-ministrit Aleksandar Jabllanoviq.

Edhe kësaj radhe, sipas tij, në fund, opozita do të fitojë dhe marrëveshjet nuk do të kalojnë.

"Çka i ka ndodhur Kosovës? Pushtetarë të këqij . Ata e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje. Ata na kanë detyruar të hedhim gaz lotsjellës në Parlament. Janë po këta pushtetar që na i kanë thyer dyert e shtëpive e zyrave, që të na detyrojnë t'i pranojmë marrëveshjet e dëmshme, por kushdo që ka provuar me zor t'iu marrë diçka shqiptarëve, kurrë nuk ia ka arritur qëllimit", ka thënë Haradinaj.

Edhe lideri i partisë Nisma, Fatmir Limaj, ka thënë se "burgosjet politike dhe shantazhet e thyerjet e shtëpive të deputetëve opozitar", nuk do ta ndalin opozitën në kundërshtimin e marrëveshjeve që qeveria e Kosovës ka arritur me Serbinë dhe Malin e Zi.

"Ne po e përcjellim mesazhin tek ata që i kanë mbyllur sytë, se Kosova më nuk është e përgjumur dhe se Kosova tash i thotë jo ‘Zajednicës’ (term që opozita përdor për Asociacionin) dhe jo demarkacionit", ka thënë Limaj

Ky manifestim ishte i pari në kuadër të tubimeve të ngjashme që janë paralajmëruar edhe nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Një manifestim i ngjashëm është mbajtur edhe në Prishtinë, më 28 nëntor.

Opozita insiston që Kryeministri i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës të tërheqin nënshkrimet nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin.

Në kundërshtim të këtyre marrëveshjeve, opozita përdori si masë proteste edhe bllokimin e Kuvendit, duke hedhur gaz lotsjellës në sallë e gjësende tjera.

Për shkak të këtyre veprimeve, Kryesia e Kuvendit suspendoi për një seancë opozitën, kurse organet e rendit kishin arrestuar pesë deputet opozitar, dy prej të cilëve, Donika Kadaj - Bujupi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Albin Kurti nga Vetëvendosje, po mbahen në paraburgim.

Për t'i zgjidhur këto mosmarrëveshje, të cilat datojnë që nga 25 gushti kur ishin nënshkruar marrëveshjet me Serbinë, përkatësisht Malin e Zi, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka ftuar opozitën që të hënën të takohen dhe bisedojnë së bashku, por tash për tash, liderët opozitar e kanë kundërshtuar propozimin e tij.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG