Ndërlidhjet

Rreth 30 për qind e përdoruesve të drogës, të prekur me hepatitin C


Ilustrim

Ilustrim

Hepatiti viral, është sëmundje infektive e mëlçisë, e cila prek qindra miliona njerëz në mbarë botën, duke shkaktuar sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë.

Në Kosovë, sipas infektologëve, hepatiti B dhe ai C janë më problematikët, derisa hepatit A tashmë është i menaxhueshëm dhe ka raste sporadike e jo shpërthim epidemik.

Personat që përdorin substanca narkotike, janë ndër personat e rrezikuar që ta marrin këtë sëmundje.

Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, bën të ditur se shumë përdorues të substancave narkotike janë të prekur me virusin e hepatitit kryesisht C, derisa shton se me virusin HIV, nuk është paraqitur asnjë përdorues i substancave narkotike.

“Shifra e infeksionit të hepatitit C, është rreth 30 për qind e gjithë përdoruesve të drogave në Kosovë. Fatmirësisht, asnjë përdorues i drogës nuk është diagnostikuar me HIV/AIDS. Kjo jo vetëm ata që paraqiten në organizatën tonë, por bëhet fjalë për gjithë Kosovën. Kjo kategori sigurisht që paraqet rrezik për të ardhmen, por deri tani kjo është gjendja e tyre”, thotë Blakaj.

Sali Ahmeti, infektolog, thotë se hepatiti në Kosovë është një sëmundje mjaft aktuale dhe e shpeshtë, dhe dominojnë kryesisht tre tipa të hepatitit, ai A, B dhe C.

Hepatiti A është formë që kohëve të fundit paraqitet më e rrallë, por herë pas here ka raste sporadike me shpërthime epidemike që kanë karakter familjar. Siç tregon Ahmeti, në vitin 2000, ka pasur shpërthim epidemik me mbi 20 mijë raste epidemike.

Ndërkaq, sa i përket personave që përdorin substancë narkotike, Ahmeti shpjegon:

“Sidomos hepatiti C,i prek personat që përdorin substancë narkotike me rrugë intravenoze. Ka raste mjaft të shpeshta që kanë hepatitin C, por edhe atë B. Trajtimi shkon mirë në klinikën tonë, me protokole sikurse të vendeve të Bashkësisë Evropiane”.

Sidoqoftë, zyrtarë shëndetësorë në Klinikën Infektive thonë se sëmundja e hepatitit paraqet një problematikë jo vetëm në Kosovë, si vend në zhvillim, por edhe në vendet evropiane ku shëndetësia është shumë më e avancuar.

Sipas tyre, Klinika Infektive i plotëson të gjitha kushtet për izolimin e këtyre rasteve dhe ka staf të trajnuar mirë. Klinika gjithashtu posedon ilaçe, të cilat janë të parapara me protokolle evropiane, duke përfshirë edhe barna anti-virale që eliminojnë plotësisht virusin.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG