Ndërlidhjet

Maqedoni: Pesimizëm nga Komisioni parlamentar për përgjimet


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi

Komisioni anketues parlamentar i formuar për hartimin e një raporti mbi aferën e përgjimeve, ka arritur më në fund të miratojë Rregulloren e punës.

Pesë muaj nga marrëveshja politike ndërmjet partive, ky komision nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për shkak të dallimeve ndërmjet anëtarëve, lidhur me rolin e tij në çështjen e bisedave të përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritarë.

Komisioni drejtohet nga opozita, e cila insiston që raporti i Komisionit të kërkoj përgjegjësi politike nga zyrtarët për, siç thuhet, shkeljet e shumta ligjore dhe veprimet kriminale që janë bërë nga drejtuesit e Qeverisë.

“Ne presim që Komisioni të përqendrohet në kryerjen e obligimeve në përputhje me kompetencat e përcaktuara. Dhe, nëse kjo ndodh, pra, nëse anëtarët u përmbahen angazhimeve deklarative, besoj se puna e këtij trupi parlamentar do të jetë e suksesshme”, deklaron kryetari i Komisionit nga radhët e opozitës, Petre Shilegov.

Por, anëtarët e partive në pushtet kërkojnë që komisioni të shtrojë nevojën e “forcimit të kapaciteteve të sigurisë për të pamundësuar përgjimin e bisedave telefonike nga shërbimet e jashtme”.

Anëtari i komisionit, Antonio Milloshoski, beson se komisioni do të respektojë afatin e përgatitjes së raportit, por paralajmëron qëndrime të ndryshme gjatë punës dhe përpilimit të tij.

“Raporti duhet të përgatitet deri nga fundi i janarit të vitit të ardhshëm. Besoj se nëse u përmbahemi fakteve, mund të kemi sukses, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë mospajtime, apo qëndrime të ndryshme për çështjen në fjalë”, thotë Milloshoski.

Por, ndryshe nga anëtarët e komisionit, vlerësojnë ekspertët për çështje juridike.

Osman Kadriu, ekspert i çështjeve juridike, thotë se komisioni nuk do të arrijë të hartojë asnjë raport, pasi ai është formuar që të dështojë, për shkak të ndjeshmërinë së çështjes që duhet të hetojë.

Veç tjerash, ai konsideron se përbërja e komisionit me anëtarë që janë pjesë e aferës së përgjimeve, në asnjë rast nuk mund të hetojë skandalin, madje ata, sipas tij, duhet përgjigjen para organeve kompetente.

“Mendoj se komisioni nuk do të sjellë rezultat, pasi unë vërej atë që e vërejnë edhe të tjerët, se ka anëtarë të komisionit që janë lëndë e përgjimeve, pra kemi persona për të cilët duhet të nisë procedura për konstatimin e përgjegjësisë së tyre, qoftë politike ose penale. Pra, kur persona të tillë kemi në komision, vallë a mund ky komision të kryejë një punë kaq delikate me persona që janë të përfshirë në aferën e përgjimeve?!”, vlerëson Kadriu.

Ai thotë se hetimi i aferës së përgjimeve nga Kuvendi është punë e kotë pasi ky rast duhet të hetohet nga Prokuroria speciale, e cila është formuar enkas për këtë çështje.

Ndryshe, anëtarët e komisionit kanë vendosur që në një nga seancat e ardhshme, si dëshmitarë të parë të paraqiten kryeministri Nikolla Gruevski, Ministri i Financave, Zoran Stavreski, dhe ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

Këta janë të ftuar nga anëtarët e komisionit nga partitë në pushtet.

Edhe anëtarët e opozitës kanë ftuar disa dëshmitarë, në mesin e të cilëve edhe ish-drejtorin e Policisë Sekrete, Sasho Mijalkov, njërin ndër më të theksuarit në aferën e përgjimeve, që edhe ka nxitur krizën më të madhe politike në vend, që çoi në marrjen e vendimit për formimin e një qeverie kalimtare dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen më 24 prill të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG