Ndërlidhjet

Fronti Kombëtar fiton shumicën në Francë


Liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen.

Liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen.

Partia e ekstremit të djathtë në Francë, Fronti Kombëtar, ka shënuar fitore rekorde në rrethin e parë të zgjedhjeve rajonale, të mbajtura më 6 dhjetor.

Zgjedhjet janë zhvilluar në një gjendje të jashtëzakonshme, vetëm tri javë pas sulmeve terroriste në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 130 veta.

Sipas vlerësimeve të fundit, të publikuara sot nga Ministria e Brendshme, Fronti Kombëtar ka dalë i pari me 28 përqind të votave në mbarë vendin dhe është në krye të listës në së paku gjashtë nga 13 rajonet.

Në vendin e dytë ka dalë Partia Socialiste e presidentit Francois Hollande dhe aleatët e saj me 23.5 përqind të votave.

Secila parti që siguron 10 përqind të votave në rrethin e parë, ka të drejtë të paraqesë kandidatë në rrethin e dytë më 13 dhjetor.

Sondazhet e opinionit kanë treguar se popullariteti i Frontit Kombëtar, parti që kundërshton migracionin dhe Bashkimin Evropian, është rritur pas sulmeve në Paris.

Rajonet franceze kanë kompetenca të gjera mbi transportin lokal, arsimin dhe zhvillimin ekonomik.

XS
SM
MD
LG