Ndërlidhjet

Incident me armë zjarri në Gorazhdec


Logo e Policisë së Kosovës
Logo e Policisë së Kosovës

Një incident me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të ditës së sotme në fshatin Gorazhdec të Komunës së Pejës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibra.

“Diku rreth orës 02:50, në rrugën kryesore që përshkon fshatin Gorozhdec, ka ndodhur një incident, shkrepje me armë zjarri dhe, për pasojë, ka pasur edhe dëmtim prone (një shtëpi private) dhe dëmtim me forcë të një përmendoreje në atë fshat”, ka bërë të ditur Ibra.

Ai ka shtuar se me të pranuar informatat nga Qendra Operative në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, njësitet patrulluese, në kuadër të stacionin policor të Gorozhdecit, së bashku me njësitet tjera patrulluese të stacionit policor Pejë, kanë dalë në vendngjarje.

“Nga vlerësimi i parë i bërë në vendngjarje, shihet se ka një veturë të djegur nga zjarri dhe aty afër një shtëpi e banimit është goditur me 4 plumba nga arma e zjarrit”, ka thënë Ibra, duke shtuar se rasti është duke u hetuar intensivisht.

Ai po ashtu ka thënë se policia ka kontaktuar edhe me përfaqësuesin e fshatit Gorazhdec, me qëllim të informimit se ky rast konsiderohet si rast i izoluar dhe se gjendja ne fshat është stabile dhe e qetë.

XS
SM
MD
LG