Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik si shtyllë kryesore e një shteti, ka mbetur nën hijen e zhvillimeve politike në Kosovë, pohojnë përfaqësues të subjekteve në pushtet, por edhe të opozitës.

Sipas tyre, muajve të fundit është imponuar në një mënyrë që të trajtohen apo debatohen vetëm çështjet politike.

Kjo për arsye se partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje,Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, jo vetëm që kabë bojkotuar, por edhe kanë bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Opozita po kërkon shfuqizimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe, që është është nënshkruar në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe më pas edhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin.

Deputet në Kuvendin e Kosovës nga pozita, pranojnë se situata politike po ndikon në nivelin e angazhimit dhe në fokusin që duhet të kenë institucionet për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Deputeti Muhamet Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se disa çështje ekonomike, apo ligje, po arrijnë të trajtohen në Kuvend, Qeveri dhe Komsionet Parlamentare, por në përgjithësi pjesa e madhe e angazhimeve po bartet tek diskutimet politike, siç thotë ai, të imponuara nga tri partitë opozitare

“Opozita duhet të mendojë më thellë për votuesit e vetë, se ajo është duke injoruar kërkesat jetësore për një jetë më cilësore për votuesit e vetë. Dhe unë nuk e kuptoj pse ata nuk marrin pjesë në komisione, pse nuk marrin pjesë në buxhet", tha Mustafa.

Edhe përfaqësues të partive opozitare pohojnë se aktivitetet e partive qoftë në pushtet apo opozitë po injorojnë apo kanë ngrirë problemet e shumta ekonomike me të cilat përballet Kosova.

Haki Shatri, ish ministër i Financave nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se situata aktuale politike nuk është në favor të zhvillimit ekonomik.

"Pa dashur të shfajësojë pjesën e përgjegjësisë së opozitës sepse edhe ata kanë rol dhe ata marrin pjesë në qeverisjen e vendit si opozitë, por megjithatë përgjegjësia më e madhe i takon shumicës që është në koalicion dhe përgjegjësinë e marrin ata në rast se dështojnë”, tha Shatri.

Shatri ka thënë se këto çështje do të sjellin pasoja për të ardhmen e Kosovës.

Ai me theks të veçantë është ndalur tek miratimi në lexim të parë i projekt-buxhetit për vitin 2016 nga Kuvendi i Kosovës.

“Ata (pozita), brenda një jave e kanë shtyrë në lexim të parë projekt-buxhetin. As komisioni për buxhet nuk është marrë seriozisht me atë punë. Opozita e ka pasur vendimin e vetëm për të bojkotuar seancën, por edhe pozita nuk e ka marrë seriozisht. Janë ngutur kanë pasur kohë deri më 10 dhjetor që ta shqyrtojnë dalëngadalë”, ka thënë Shatri.

Ndryshe, Projekt-ligji për Buxhetin 2016, është miratuar në parim muajin e kaluar nga Kuvendi i Kosovës, në një sallë alternative, mes përplasjesh e tensionesh të shumta dhe pa opozitën.

Kurse, gjatë kësaj jave pritet të miratohet edhe në lexim të dytë.

Por, Muhamet Mustafa, konsideron se partitë opozitare më veprimet e tyre kanë imponuar diskutimet vetëm rreth çështjeve politike.

“Unë mendoj se taktika që ata kanë zgjedhur gjoja për të imponuar një diskutim rreth Asociacionit të Komunave më Shumicë Serbe dhe për demarkacionin me Malin e Zi, është joproduktive dhe ka një ndikim të keq".

"Nuk është mirë kur opozita nuk është e pranishme në Kuvend apo komisione, por jeta duhet të zhvillohet, buxheti dhe ligjet kyçe duhet të miratohen”, ka thënë Mustafa.

Tri partitë opozitare ndërkaq kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë mbajtjen e seancave në Kuvendin e Kosovës, pa shfuqizimin e marrëveshjeve.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG