Ndërlidhjet

SHBA akuzon Rusinë për vrasjen e ushtarëve sirianë


Ilustrim
Ilustrim

Zyrtarët amerikanë kanë vlerësuar se nga bombat e Rusisë, e jo nga sulmet ajrore amerikane, janë vrarë ushtarët e regjimit të Sirisë në pjesën lindore të këtij vendi.

Siria e ka akuzuar dje koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që lufton kundër militantëve të Shtetit Islamik, se e kishte marrë në shënjestër një kamp ushtarak në provincën Deir al-Zour, duke i vrarë tre ushtarë dhe plagosur 13 të tjerë.

Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, po ashtu, i është referuar kolalicionit për sulmet ajrore, por zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se përgjegjëse ishte Rusia.

“Rusia ka ndërmarrë sulme me bombardues me rreze të gjatë veprimi” në hapësirën Deir al-Zour, më 6 dhjetor, ka thënë një zyrtar dhe ka shtuar se “ne nuk jemi në luftë me regjimin e Assadit dhe nuk kemi arsye ta marrin në shënjestër ushtrinë e Sirisë”.

Shtetet e Bashkuara rregullisht e kanë akuzuar Rusinë se po përdorë bomba më pak precize se ato që përdoren nga koalicioni.

Zyrtarët thanë se sulmet ishin kryer nga bombarduesi i tipit 12 TU-22M3 Backfire nga baza ushtarake ruse në Osetinë Veriore.

Zëdhënësi i koalicionit, Steve Warren, tha se të vetmet sulme, që koalicioni i ka ndërmarrë në hapësirën e përmendur më 6 dhjetor, ishin ato kundër një burimi të naftës, afro 35 mila në juglindje të bazës ushtarake.

XS
SM
MD
LG