Ndërlidhjet

FDH: Urgjentisht të zbardhet incidenti në Gorazhdec


Ilustrim

Ilustrim

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka kërkuar nga autoritetet e rendit që “urgjentisht të zbardhet sulmi ndaj serbëve në Gorazhdec”.

FDH në Kosovë rikujton se “edhe në të kaluarën pothuajse asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate hetimet policore për sulmet ndaj serbëve lokal në këtë fshat dhe në tërë rajonin e Pejës”.

“Dështimi në arrestimin e autorëve të këtij krimi edhe më tutje krijon pasiguri tek qytetarët serbë të këtij fshati dhe të tërë Kosovës dhe ka ndikim negativ në vendosjen e besimit tek institucionet kosovare”, thuhet në komunikatën e FDH-së.

“Institucionet lokale dhe ato qendrore në Kosovë vazhdimisht i bëjnë thirrje komunitetit serb që të integrohen në shoqërinë kosovare, por nga ana tjetër nuk shihet ndonjë vullnet politik në praktikë dhe nuk ka veprime të këtyre institucioneve që në të vërtetë t’u krijojnë kushte serbëve që të integrohen në shoqërinë kosovare, të lëvizin lirshëm dhe të kenë siguri të plotë në vendbanimet e tyre”, vlerëson FDH, duke i cilësuar si të pamjaftueshme “thirrjet verbale për integrim”, nëse nuk përcillen edhe me veprime konkrete.

Në orët e hershme të mëngjesit të së hënës, me 7 dhjetor, në fshatin Gorazhdec të komunës së Pejës, fshat ky i banuar me shumicë serbe, ka ndodhur një incident me armë zjarri. Për pasojë kishte dëmtim prone, një shtëpi private, si dhe dëmtim me forcë te një përmendoreje në atë fshat.

XS
SM
MD
LG