Ndërlidhjet

Perëndimi do ta rrisë presionin ndaj Moskës

  • RFE /RL

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se Rusia ka shkelur ligjin ndërkombëtar me aneksimin e Gadishullit të Krimesë nga Ukraina. Biden ka mbajtur sot fjalim para Parlamentit të Ukrainës.

“Sot, Rusia po pushton territorin sovran të Ukrainës. Më lejoni të jem i qartë si kristal: Shtetet e Bashkuara nuk e njohin dhe nuk do ta njohin kurrë aneksimin e Krimesë nga Rusia”, ka thënë Biden.

Ai ka siguruar ligjvënësit ukrainas se presioni i Perëndimit mbi Rusinë do të rritet, nëse Moska vazhdon “agresionin” e saj kundër Kievit.

Biden ka akuzuar drejtpërdrejt Moskën për dërgimin e trupave për të luftuar përkrah separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës dhe për përpjekje për ta fshehur këtë veprim nga publiku rus dhe bota.

“Nuk mendoj se populli rus e ka kuptuar plotësisht se çfarë po bën (presidenti rus) Putin”, ka thënë Biden.

Kjo është vizita e katërt e tij në Kiev prejse Rusia ka anekusar Krimenë nga Ukraina në mars të vitit 2014 dhe u ka ofruar mbështetjen e saj separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Nënpresidenti amerikan u ka thënë gjithashtu ligjvënësve ukrainas se ata e kanë për obligim “të ndërtojnë një komb të bashkuar demokratik”.

“Nuk është ekzagjerim të thuhet se shpresat e njerëzve liridashës janë me ju… Është po aq e rëndësishme që agresorët në gjithë botën të kuptojnë se nuk mund të përdorin forcën, ryshfetin, dërgimin e tankeve dhe burrave përtej kufirit, për të shuar ëndrrat e një populli”, ka thënë Biden.

Ai i ka bërë thirrje Ukrainës që të bëjë reforma të dhimbshme, por vendimtare për ta bërë qeverisjen më transparente. Biden ka thënë se “korrupsioni e ha Ukrainën si kancer”.

Biden ka takuar presidentin ukrainas, Petro Poroshenko, të hënën në Kiev, dhe ka thënë se SHBA do ta ndihmojë Ukrainën me 190 milionë dollarë shtesë.

Ai po ashtu ka takuar disa anëtarë individualë të Parlamentit dhe të shoqërisë civile, si dhe kryetarin e Kievit, Vitaly Klitschko.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, së bashku me Kievin, akuzojnë Rusinë për pushtimin e Krimesë dhe mbështetjen e revoltës separatiste, si masa ndëshkimore për rrëzimin e presidentit pro-rus të Ukrainës, Viktor Yanukovych, në shkurt të vitit 2014, pas disa muajve të protestave antiqeveritare.

Protestat janë ndezur nga zemërimi për korrupsionin e shfrenuar dhe braktisja që u ka bërë Yanukovych negociatave për një marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian, nga presioni rus.

Në përgjigje të veprimeve të Rusisë, Uashingtoni dhe Brukseli u kanë vënë sanksione ekonomike njerëzve të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin. (v.tela)

XS
SM
MD
LG