Ndërlidhjet

logo-print

Incidentet ndikojnë në harmoninë ndëretnike


Ilustrim

Ilustrim

Pas incidentit të orëve të hershme të së hënës në Gorazhdec, të njëjtën ditë në orën 18:30, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kioske të një serbi në fshatin Serbobran të komunës së Istogut.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Xhevat Ibra.

“Në fshatin Serbobran ka pasur të shtëna në drejtim të një kioske. Deri më tani, njësitet kanë marrë të gjitha masat e nevojshme në vend të ngjarjes dhe janë kryer të gjitha procedurat e shikimit të vendit. Në bashkëpunim me prokurorin e shtetit, janë duke u ndërmarrë edhe masa tjera hetimore që të identifikohen personat e dyshimtë. Nuk ka pasur të lënduar”, ka thënë Ibra.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq, e ka dënuar ashpër, siç ka thënë, sulmin mbi serbët në fshatin Serbobran të Istogut.

Ai ka vlerësuar se incidenti në Serbobran është “edhe një sulm i radhës mbi serbët që jetojnë në Kosovë” dhe se kjo tregon që “serbët dhe gjithçka që është serbe janë cak”.

Stojanoviq u ka bërë thirrje për ndihmë përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë që të ndikojë te liderët e Kosovës, duke thënë se beson që “e gjithë kjo është e organizuar dhe që dikush po i koordinon dhe po i mbron këto grupe”.

Reagim të ngjashëm zëvendëskryeministri Stojanoviq ka pasur edhe për incidentin në Gorazhdec, në mëngjesin e hershëm të së hënës, ku ka pasur shkrepje me armë zjarri, ndërkaq, për pasojë kishte edhe dëmtim prone, një shtëpi private, si dhe dëmtim me forcë të një përmendoreje në atë fshat.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq e ka cilësuar incidentin në Gorazhdec si “sulm mbi gjithë popullin serb që jeton në Kosovë”.

Ndërkaq, Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, madje e ka kualifikuar incidentin si “vepër terroriste, që përkujton situatën në të cilën jetojnë serbët” në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për medie ka dënuar incidentin në Gorazhdec.

“Duke mos paragjykuar motivin e një akti të tillë, theksoj se nuk do të lejojmë që incidentet e tilla të acarojnë raportet e përmirësuara ndëretnike në Kosovë”, thuhet në komunikatën e presidentes Jahjaga.

Por, a po paragjykohen motivet dhe përkatësia etnike e kryerësve të veprave kriminale në incidentet e deritashme?

Zëdhënësi i policisë, Ibra, ka theksuar se organet e rendit dhe të drejtësisë nuk e njohin gjuhën e paragjykimeve.

“Gjuha e Policisë së Kosovës njeh të dyshimtin, dëshmitarin dhe viktimën. U bënë dy raste brenda ditës dhe tash janë duke u bërë hetime më të thukëta. Janë në rrugë të mirë për identifikimin e të dyshimtëve dhe me siguri që në ditët e ardhshme ne do të japim informacionet shtesë, posa të arrihet ndonjë sukses dhe të arrestohen të dyshimtit".

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), e pohon një gjë të tillë, përmes një komunikate për medie, ku thuhet se“rasti i fundit i sulmit në Gorazhdec po paragjykohet, ende pa përfunduar hetimet” dhe se “udhëheqësit serbë të institucioneve serbe, të shoqëruar me politikanë të Serbisë e vizituan Gorazhdecin, duke e paragjykuar rastin”.

Behxhet Shala nga KMDLNJ, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky këshill ka kërkuar që mos të paragjykohet rasti dhe me të, të merren organet e rendit.

“Përderisa nuk ka asnjë element, i cili tregon se kush mund ta ketë kryer krimin, hetimi i policisë shkon në shumë adresa. Pra, ne kemi kërkuar që të mos paragjykohet dhe që organet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre”.

Ndërkaq, Rangjel Nojkiq, njohës serbi zhvillimeve politike në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë për një kohë kanë qenë korrekte, ndërkohë që ngjarjet e fundit, siç thotë ai, e kanë shtrembëruar këtë fotografi.

Ai, thekson se përfaqësuesit e serbëve në Qeverinë e Kosovës, duhet të jenë më aktiv dhe ta pranojnë përgjegjësinë që më shumë të kujdesen për bashkësinë e tyre dhe të jenë të vëmendshëm në deklaratat që japin, të cilat do të duhej të ishin në funksion të uljes së tensioneve.

“Nëse ne i kemi përfaqësuesit tonë në institucione, në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në të gjitha institucionet tjera të rëndësishme, atëherë mendoj se ata duhet më shumë dhe në mënyrë të pavarur të organizohen për mbrojtjen e serbëve dhe bashkësisë serbe dhe jo që në vazhdimësi të kërkojnë ndihmë nga dikush tjetër".

"Në qoftë se e kanë marrë përgjegjësinë dhe kanë hyrë në institucione, atëherë duhet të viktimizohen dhe të organizohen vet. Në qoftë se ka rezistencë nga ata që janë mbi ta, atëherë do të jetë shenjë e qartë se për çka bëhet fjalë”, ka theksuar Nojkiq.

Në anën tjetër, Shala ka përkujtuar se, siç ka thënë ai, paragjykime të ngjashme nga përfaqësuesit e serbëve kanë ndodhur edhe në incidentet e mëhershme në Gorazhdec, kur vite më parë ishin vrarë dy të rinj serbë, dhe disa ishin plagosur kur ishin duke u larë në lum, kurse vrasësit nuk ishin zbuluar asnjëherë.

Sipas tij, gjithmonë është manipuluar në aspektin politik dhe etnik dhe gjithmonë është paragjykuar se këtë kanë mundur ta bëjnë shqiptarët.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG