Ndërlidhjet

Ankth në Antalia: Ikin rusët


Mbi 300 hotele ekstravagante, me pesë yje, ndodhen në qytetin Antalia të Turqisë dhe presin miliona turistë rusë që dynden çdo vit.

Përballë tyre janë ndërtuar qendra tregtare, kafene dhe dyqane bizhuterish, për t’i joshur ata edhe më shumë.

Në këtë fillim dhjetor, hotelet dhe dyqanet janë prakitikisht të shkreta. Shumica e pronarëve qëndrojnë para tyre, ulur në karrige druri, me kafe dhe cigare në duar.

Tolga Baris, 32 vjeç, është menaxher marketingu. Puna e tij është të mbushë tetë hotele luksoze

Por, Kremlini ka ndaluar qytetarët rusë të bëjnë pushime në Turqi, prejse forcat turke kanë rrëzuar një avion ushtarak rus, pranë kufirit me Sirinë, më 24 nëntor.

“Pa turistët rusë, turizmi nuk është turizëm”, thotë Baris, i cili punon me grupin e hoteleve Limak.

Urdhëri ekzekutiv i presidentit rus, Vladmir Putin, për, siç thuhet, masat që garantojnë sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen e shtetasve rusë, është lëshuar katër ditë pas rrëzimit të avionit nga një raketë turke ajër-ajër. Dekreti, pos tjerash, kërkon nga agjentët rusë të udhëtimit të pezullojnë shitjen e paketave për pushime në Republikën e Turqisë. Me dekret janë ndaluar të gjitha fluturimet çarter midis dy vendeve.

Baris thotë se nëse turistët rusë nuk vizitojnë Antalinë as gjatë muajve të verës, industria e turizmit atje do të jetë në “krizë të vërtetë”.

Por, me vazhdimin e retorikës së nxehtë midis Ankarasë dhe Moskës, nuk ka shenja për ulje të tensioneve në të ardhmen e afërt.

Për dekada me radhë, plazhet me rërë të Antalisë dhe temperaturat e nxehta kanë tërhequr rusët. Qasja e lehtë nga ajri dhe udhëtimi pa viza e kanë bërë edhe më të lehtë për ta.

Sipas të dhënave të Qeverisë turke, 3.3 milionë turistë rusë kanë vizituar Turqinë në nëntë muajt e parë të këtij viti.

Turistët rusë i kanë kontribuar ekonomisë së Antalisë me rreth gjashtë miliardë dollarë çdo vit. Në shkallë kombëtare, turizmi ka gjeneruar rreth 21 miliardë dollarë për Turqinë nga muaji janar deri në shtator.

Akay Can Dagkiran, pronar i Motto Café-së, një zinxhir i restoranteve në Antali, thotë se lokali i tij do të duhej të ishte i mbushur me turistë në këtë kohë, por ja që karriget janë bosh.

“Shumica e klientëve tanë dhe shumica e turistëve në këtë zonë janë nga Rusia. Natyrisht, ata janë shumë të rëndësishëm për ne, sepse mbi 50 përqind e vizitorëve në Antali janë rusë”, thotë Dagkiran.

Numri i turistëve rusë në Turqi ka qenë edhe më parë në rënie, pjesërisht për shkak të bllokimit të ekonomisë ruse, dobësimit të rublës dhe zbehjes së fuqisë blerëse.

Agjencitë e udhëtimit, menaxherët e hoteleve dhe autoritete të tjera parashikojnë që sezoni turistik më 2016 të jetë një humbje e madhe.

Gazi Demir, përfaqësues i shitjes në agjencinë turistike Mudem Tour në Antalia, thotë se zënka midis Moskës dhe Ankarasë ka bllokuar biznesin e tij. Ai tregon se në tri javët e fundit nuk ka regjistruar asnjë prenotim të vetëm nga Rusia.

“Tetëdhjetë përqind e këtij biznesi lidhet me turistët rusë. Të gjithë jemi të shqetësuar për të ardhmen”, thotë Demir, i cili punon në industrinë e turizmit për më shumë se 20 vjet.

Në Turqi po ashtu ndodhen rreth 70,000 migrantë rusë, shumica e të cilëve punojnë në industrinë e turizmit. Edhe ata i ndjejnë pasojat e masave ndëshkuese të Moskës kundër Ankarasë. (v.tela)

XS
SM
MD
LG