Ndërlidhjet

logo-print

Kryeministri Gruevski nuk paraqitet në komisionin anketues për përgjimet


Nikolla Gruevski, foto arkivi

Nikolla Gruevski, foto arkivi

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, nuk është paraqitur në seancën e komisionit anketues parlamentar për të dëshmuar për atë që njihet si aferë e përgjimeve, ku është përfshirë ai personalisht dhe shumë zyrtarë të kabinetit të tij qeveritar.

Kryetari i komisionit nga radhët e opozitës, Petre Shilegov, tha se komisioni nuk ka marrë asnjë njoftim për arsyet e mungesës së Gruevskit, por edhe të Ministrit të Financave, Zoran Stavreski, i cili po ashtu duhet të dëshmojë për përgjimet e bisedave telefonike të zyrtarëve të lartë.

“Personat në fjalë, Gruevski dhe Stavreski nuk e kanë njoftuar komisionin për mungesën e tyre në seancën dëgjimore. Vetëm se Stavrevski ka paraqitur një njoftim se dëshminë do ta japë më datën 17 dhjetor, por edhe njoftimi tij ka shkelur afatet e vendosura nga komisioni".

"Dua të theksoj se komisioni anketues është organ i themeluar nga Kuvendi dhe para institucioneve të këtij shteti të gjithë janë të barabartë dhe të gjithë duhet të respektojnë vendimet dhe afatet e përcaktuara“, tha Shilegov.

Nga VMRO DPMNE-ja mungesën e liderit të saj dhe njëherit, kryeministrit të vendit, Nikolla Gruevski, e arsyetuan me obligimet e tij shtetërore, respektivisht vizitën jashtë vendit, ndërsa njoftuan se kreu i ekzekutivit do të dëshmojë në seancën e radhës të caktuar për 14 dhjetor, me kërkesën që seanca të jetë e mbyllur për opinionin.

Anëtari i komisionit nga partia në pushtet, Antonio Milloshoski, kërkoi që puna e këti organi të mos shfrytëzohet për përfitimin e pikëve politike, pasi sipas tij, duhet të respektohen edhe angazhimet tjera që mund të kenë bartësit e institucioneve.

“Vlerësoj se nëse thelbi është më i rëndësishëm se sa forma e punës së këtij komisioni dhe nëse faktet janë më të rëndësishme se sa bërja e politikës dhe pikët e ulëta politike, ne do të duhej të respektojnë të gjitha obligimet e tyre, qoftë vendore apo ndërkombëtare".

"Më 14 dhjetor kryeministri Gruevski do të dëshmojë para komisionit dhe ne duhet të jemi të gatshëm me pyetjet që duhet t'ia parashtrojmë“, tha Milloshoski.

Nga partitë shqiptare, PDSH-ja nuk ka propozuar anëtarë të komisionit. Ajo mbetet në qëndrimin se nuk është e përfshirë në këtë skandal, andaj edhe nuk e sheh të arsyeshme që të jetë pjesë e këtij trupi punues, por edhe për faktin tjetër, se nuk i beson pushtetit se mund të dalë me një zgjidhje të besueshme për rastin në fjalë.

Në fakt, partitë maqedonase, LSDM-ja opozitare dhe VMRO-ja në pushtet, kanë dallime për konkluzionet që pritet të miratojë komisioni. Opozita kërkon që komisioni të kërkojë përgjegjësi politike për bartësit e funksioneve për ato që janë prezantuar nga bisedat e përgjuara telefonike, ndërsa partitë në pushtet, në veçanti VMRO-ja, kërkon që komisioni të dalë me vlerësimin për nevojën e forcimit të sistemit të sigurisë që përgjime të tilla të mos ndodhin.

Afera e përgjimeve ka shpërthyer në muajin shkurt kur LSDM-ja që drejtohet nga Zoran Zaev, nis me publikimin e bisedave nga rreth 20 mijë sa posedon gjithsej, e ku protagonistë kryesorë, sipas tij, janë kryeministri Gruevski dhe disa nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në qeveri.

Këto biseda, gjithnjë sipas opozitës, dëshmojnë përfshirjen e qeverisë në “veprimtari të shumta kriminale, ndërhyrje në gjyqësor, në media, në falsifikimin e zgjedhjeve, si dhe në presione e kërcënime ndaj të gjithë kundërshtarëve të tyre politik“.

Por, VMRO-ja dhe kryeministri Gruevski mbetën në qëndrimin se bisedat janë të montuara dhe të siguruara nga shërbime të huaja sekrete, me qëllmin e vetëm destabilizimin e vendit. Afera e përgjimeve po hetohet edhe nga një prokurori speciale e themeluar në bazë të marrëveshjes mes partive për zgjidhjen e krizës në vend.

XS
SM
MD
LG