Ndërlidhjet

logo-print

Nis zhvarrosja e eshtrave në një varr masiv në Bosnje


Ilustrim

Ilustrim

Ekspertët mjeko-ligjorë në Bosnje kanë filluar procesin e zhvarrosjes së mbetjeve mortore nga një varr masiv i zbuluar kohëve të fundit, në të cilin besohet se janë varrosur viktima të masakrës së Srebrenicës në 1995-ten.

“Deri më tani janë gjetur eshtrat e së paku 15 personave”, ka njoftuar përmes një kumtese Zyra e prokurorit për krime lufte.

Varri masiv është zbuluar në Kozluk, një fshat që gjendet 70 kilometra në veri të Srebrenicës.

Rreth 8 mijë myslimanë janë ekzekutuar nga forcat serbo-boshnjake teksa këto të fundit kishin hyrë në qytetin lindor në korrik të 1995-tes.

Lufta në Bosnje që ka zgjatur nga 1992-ta deri në 1995-ten, ua ka marrë jetën rreth 100 mijë personave.

“Rreth 1 mijë burra myslimanë dhe adoleshentë të rajonit të Srebrenicës janë ekzekutuar në këtë vend. Askush këtu nuk ka mbijetuar”, ka thënë sot prokuroria duke bërë me dije se rreth 200 persona ende konsiderohen të zhdukur.

Njëzet vite pas mizorisë më të keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, eshtrat e rreth 6 mijë viktimave të Srebrenicës janë gjetur, identifikuar e varrosur, shumica nga të cilët në një qendër përkujtimore në afërsi të qytetit.

Zhvarrosjet e tilla si kjo që ka nisur sot në Bosnje, janë të rralla kohëve të fundit ngase autoritetet pohojnë se nuk kanë asnjë informacion se ku janë varrosur pjesa tjetër e viktimave.

Zhvarrosje në shkallë më të madhe është realizuar më 2010-ten kur janë gjetur eshtrast e rreth 50 njerëzve.

Varrimi masiv që ka filluar të gjurmohet tani është zbuluar nga një serb i Bosnjes, ka bërë të ditur Munira Subasic, kryetar i Shoqatës së familjeve të viktimave të Srebrenicës.

“Ky njëri erdhi për të biseduar me mua në një restorant të vogël në Kozluk. Ai më tha ‘unë kam për t’iu thënë diçka. Afër është një varr. Nuk më zen gjumi ngase ndërgjegjen nuk e kam të pastër”, ka thënë Subasic për AFP.

Tri varre të tjera masive me eshtrat e 340 viktimave janë zbuluar në rajonin Kozluk në vitin 1999 nga hetuesit e Tribunalit të Hagës, ka bërë të ditur Lejla Cengic nga Instituti për persona të zhdukur në Bosnje.

Qindra viktima të tjera të kësaj masakre janë gjetur në varrezat masive të zbuluara në vendet tjera.

Masakra e Srebrenicës është pranuar si gjenocid nga dy gjykata ndërkombëtare

XS
SM
MD
LG